
Komisioni i Ligjeve është zhvilluar me tensione të ashpra mes deputetëve të Partisë Demokratike dhe mazhorancës socialiste. Deputeti demokrat Oerd Bylykbashi ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe vetëshpërndarjen e Parlamentit. Gjatë fjalës së tij, Bylykbashi denoncoi edhe ndërhyrjet e policisë në protestat studentore, duke theksuar se qindra qytetarë kanë pasur nevojë për ndihmë mjekësore si pasojë e përdorimit të forcës dhe plumbave të gomës.
Demokrati kërkoi hetimin e të gjithë zinxhirit komandues të Policisë së Shtetit për mënyrën e menaxhimit të protestave, si dhe largimin nga radhët e uniformave blu të efektivëve që kanë ushtruar dhunë ndaj qytetarëve. Nga ana tjetër, deputeti socialist Ulsi Manja iu përgjigj me ironi kërkesave të opozitës, duke deklaruar se demokratët duhet të vazhdojnë të shohin ëndrra.
Pjesë nga diksutimi:
Bylykbashi: Dita e 15-të që studentët dhe gjimnazistët janë në protestë, përballen me dhunë nga policia, njërit i nxorën syrin. Dhunë joproporcionale, në shkelje të Kushtetutës dhe ligjit. Arrestimi është përdorur si mjet intimidimi.
Qindra kanë pasur nevojë për ndihmë mjekësore nga plumbat e gomës. Duhej hetim për të gjithë zinxhirin komandues të Policisë së Shtetit. Duhet spastrim i policisë nga efektivët kriminelë që rrahin në mënyrë shtazarake protestuesit. I gjëmojnë nëpër rrugica, i rrahin dhe i lënë në shesh. Ka dy kërkesa: Rama të japë dorëheqjen, është kërkesa e atyre në shesh, edhe e juaja nga brenda. Dhe një qeveri tranzitore. Kuvendi ka detyrimin moral të vetëshpërndahet. Mos u bëni me atë bandit, nëse Kuvendi nuk shpërndahet, turpi do të jetë i juaji. Provoni t’i takoni ata atje dhe do ta shihni faturën.
Manja: Vazhdoni të shihni ëndrra, por kur dilni te Lana, vishuni me plastmas. Mos i mbroni ata të dhunës në selinë tuaj. Për të qenë të ndershëm deri në fund, duhet të dënohet dhuna nga të gjitha anët. Nëse ka tejkalim nga policia, le të bëhet hetim.