
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza të rënda ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar atë për një akt antikushtetues dhe banditesk ndaj Presidentit të Republikës, Bajram Begaj.
Sipas Berishës, kryeministri ka penguar me forcë kreun e shtetit që të udhëtojë drejt Ankarasë për të marrë pjesë në Samitin e NATO-s si kryetar i delegacionit shqiptar.
Sipas denoncimit, protokolli i samitit përcaktonte qartë se delegacioni shqiptar do të kryesohej nga Presidenti Begaj, ndërsa Edi Rama do të ishte anëtar i delegacionit. Sipas kryedemokratit, ky pozicionim nënkuptonte që presidenti do të përfaqësonte Shqipërinë në tryezën e bisedimeve dhe në foton zyrtare të liderëve.
Postimi i plotë i Berishës:
"Një skandal i nivelit më të lartë!
Të dashur miq, dje ka ndodhur një skandal i nivelit më të lartë i padëgjuar kurrë më parë. Edi Rama bllokoi dje udhëtimin e Begajt si kryetar i delegacionit shqiptar në Samitin e NATO-s në Ankara.
Ndonëse shkresa e dërguar pranë autoriteteve protokollare pritëse sipas dy burimeve diplomatike informonte se delegacioni shqiptar kryesohej nga presidenti Bajram Begaj dhe anëtarë Edi Rama etj etj.
Por Rama në një akt antikushtetues ka kërcënuar si bandit Begajn dhe ka bllokuar udhëtimin e tij si në avionin-taksi të pronotuar nga delegacioni shqiptar ashtu dhe me linjat tregtare dhe është nis vetëm me bashkëshorten e tij me një avion që sipas mediave i kushton dhjetra e mijëra euro ora e fluturimit.
Diplomati Dixhital informon se ky sherr nisi një javë më parë në Shqipëri kur Ambasadori turk sipas tij i kërkoj takim dhe i dorëzoi ftesën për Samitin e NATO-s në Ankara Presidentit Bajram Begaj. Ky i fundit po sipas burimit i thotë ambasadorit se këto janë punë të Ramës ndaj mendoj se ftesa i duhet dërguar atij. Ambasadori iu përgjigj se kjo është përcaktuar nga protokolli i Samitit dhe ai vetëm përcjell ftesën. Rama thërret menjëherë ambasdorin turk dhe i kërkon që ftesa t’i vij atij. Nuk dihet më tej për ndërhyrjet e Ramës pranë presidencës turke. Por shkresa e dërguar për delegacionin përfaqësues të Shqipërisë në Samit sipas diplomatit është firmosur nga Begaj si kryetar delegacioni dhe Edi Ramën jo si zëvendëskryetar por thjesht anëtar delegacioni, gjë që nënkuptonte që në tryezën e Samitit në vendin e parë aty ku shkruhej Albania do ulej Begaj, dhe Rama do ulej në karriken pas shpinës së tij, po kështu në foton familjare në vendin e caktuar për Shqipërinë do fotografohej me pjesëmarrësit e tjerë Begaj si përfaqësues e vendit dhe jo Rama.
Për të gjitha këto Rama si gangster vendosi t’i ndalojë kreut të shtetit dhe kryekomandantit të forcave ushtarake të udhëtonte drejt Turqisë.
Dënoj me forcën më të madhe këtë akt të rëndë banditesk antikushtetues të Edi Ramës ndaj kreut të shtetit të vendit me të cilin ai dëshmon edhe njëherë përqendrimin e të gjitha pushteteve në duart e tij.", shkruan Berisha.