
“E bëra për t’u hakmarrë për vëllain tim, të cilin e ka plagosur 15 vite më parë”. Kjo mësohet të jetë deklarata që Poli Boriçi, 52-vjeçari i arrestuar për atentatin e dështuar në Elbasan, ka dhënë përpara hetuesve.
Sipas dëshmisë së tij, sulmi ndaj 50-vjeçarit Ermir Kërtezi lidhet me një konflikt të vjetër mes dy familjeve. Boriçi ka pretenduar se Kërtezi kishte plagosur vëllain e tij rreth 15 vite më parë dhe se pasojat e asaj ngjarjeje kishin qenë të rënda, deri në paralizimin e tij.
Ky version pritet të jetë pjesë e hetimeve për zbardhjen e plotë të motivit të atentatit, ndërsa organi i akuzës po verifikon rrethanat e konfliktit të hershëm dhe nëse ai ka qenë realisht shkaku që e ka shtyrë 52-vjeçarin drejt sulmit.
Por, përballë deklarimit të autorit të dyshuar qëndron versioni i vetë shënjestrës, Ermir Kërtezit. 50-vjeçari ka deklaruar se marrëdhëniet mes tyre ishin normalizuar prej vitesh dhe se dy familjet banonin pranë njëra-tjetrës, pa pasur konflikte gjatë rreth 15 viteve të fundit.
Pavarësisht pretendimit për një konflikt të hershëm, hetuesit po vijojnë punën për të përcaktuar dinamikën e plotë të ngjarjes, motivin dhe mënyrën se si është organizuar tentativa e sulmit.
Boriçi u arrestua pas reagimit të shpejtë të Policisë, ndërsa ngjarja tronditi Elbasanin, pasi 50-vjeçari Kërtezi u vu në shënjestër në një atentat që, fatmirësisht, nuk përfundoi me viktima.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësive penale.