Flash

Reduktim të forcave të KFOR në Kosovë? Reagon Pentagoni

Lapsi.al 19 February 2026
Reduktim të forcave të KFOR në Kosovë? Reagon Pentagoni

Një zyrtar i Departamentit amerikan të Mbrojtjes* i tha Radios Evropa e Lirë se, aktualisht, nuk ka ndonjë ndryshim në dislokimin e forcave amerikane.

“Sot, nuk kemi për të njoftuar ndonjë ndryshim në dislokimin e forcave”, tha ai në përgjigjen me shkrim.

REL-i kërkoi koment nga Departamenti amerikan i Mbrojtjes, pasi gazeta amerikane Politico - duke cituar 4 diplomatë të NATO-s - tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po kërkojnë nga aleanca të reduktojë aktivitetin e saj të jashtëm, përfshirë atë në misionin paqeruajtës në Kosovë - KFOR.

Në komentet për REL-in, një zyrtar i NATO-s tha se Shtetet e Bashkuara luajnë rol thelbësor në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme në Kosovë dhe për stabilitetin rajonal.

Megjithatë, ai theksoi se autoritetet amerikane janë adresa për më shumë hollësi.

Ai shtoi se SHBA-ja, aktualisht, i ka rreth 600 trupa të angazhuara në misionin e KFOR-it dhe se e ka udhëheqjen e Komandës Rajonale Lindje.

Komanda Rajonale Lindje kontribuon në aktivitetet e përditshme të KFOR-it në mënyra të ndryshme, duke përfshirë patrullimet, ushtrimet, angazhimet me përfaqësuesit e të gjitha komuniteteve lokale dhe mbështetjen e projekteve të rindërtimit dhe zhvillimit ekonomik.

REL-i kërkoi komente në lidhje me raportimet e Politico-s edhe nga Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Mbrojtjes, dhe është në pritje të përgjigjeve.

Çfarë thuhet në artikullin e Politico-s?

Sipas Politico-s, në muajt e fundit, Uashingtoni ka lobuar për reduktimin e operacionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, që të përfundojë misioni në Irak dhe që aleatët nga Indo-Paqësori të mos marrin pjesë në samitin vjetor të aleancës që mbahet në Ankara të Turqisë në korrik.

Ky raportim vjen pasi, vitin e kaluar, ishin ngritur shqetësime në mesin e shteteve evropiane se SHBA-ja mund t'i tërhiqte plotësisht trupat e saj nga Evropa.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, atëbotë kishte porositur Evropën se duhej të përgatitej për një rishikim dhe reduktim eventual të pranisë ushtarake amerikane.

Megjithatë, tërheqje të plotë nuk pati, dhe në tetor SHBA-ja njoftoi për tërheqjen e disa trupave nga Rumania. Kjo tërheqje u tha se ishte pjesë e një strategjie më të gjerë të SHBA-së që të përqendrohet në Indo-Paqësor.

SHBA-ja ka 590 trupa në Kosovë në kuadër të misionit paqeruajtës të KFOR-it.

Nga afër 50.000 trupa sa ishin dislokuar më 1999, pas përfundimit të luftës, në Kosovë aktualisht janë 4.767 trupa paqeruajtëse të KFOR-it nga 33 shtete të ndryshme.

Kampi Bondsteel, që gjendet pranë Ferizajit, shërben si baza më e madhe ushtarake e SHBA-së në Ballkan.

Kosova e konsideron si qenësore aleancën me Shtetet e Bashkuara, vend që ka kontribuar në pavarësinë dhe shtetndërtimin e saj.

Ndryshe, KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX.

Ky mision paqeruajtës i NATO-s, veç tjerash, është përgjegjës për sigurinë në vijën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

*Shënim: Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv në shtator të vitit 2025, duke e ndryshuar emrin e Departamentit të Mbrojtjes në Departament të Luftës, si emër të dytë. /Marrë nga Radio Evropa e Lirë

Të këshilluara

ide

Plaku me bastun, si antimodeli ndaj një pushteti të shurdhët

Ndarja e re teritoriale përpos problemeve të diskutueshme me pakësimin e bashkive po vërteton se kjo qeverisje e degraduar nuk ka më as vullnet as nerva për të dëgjuar qytetarët. Prandaj rruga e vetme e komunikimit me të mbetet ajo e ngritjes së shkopit

16:34 Andi Bushati

Një monument i shëmtuar i autoritarizmit politik

Në vend që të kujdesen për godint që kërcënojnë qytetarët estetikisht dhe fizikisht, Kryeministri dhe Bashkia e tij në Durrës rendin të hedhin miliona euro për të ndërtuar mure betoni që fshehin detin dhe shëmtojnë qytetin

10:47 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

35°c

KËMBIMI EURO

92.53

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI