Kryeministri Edi Rama ka vazhduar të sulmojë gjykatësit, kësaj radhe për vendimet e tyre në lidhje me dëmshpërblimet për ish-prokurorë dhe ish-gjykatës të larguar nga vetingu. Sipas Ramës vendimet për dëmshpërblimet e tyre tregojnë se gjykatat kanë një "pavarësi të papërgjegjshme".
"Gjykatat kanë dhënë deri më tani 92 raste në favor të llumit të pastruar nga vetingu, duke u dhënë një trajtim financiar prej rreth 12 milionë Eurosh nga buxheti i shtetit" shkruan Rama në një status në rrjetin social X.
Sipas kryeministrit, këto 12 milion euro dëmshpërblime janë marrë nga fondi i pensioneve. Sulmet e Ramës ndaj ish-prokurorëve dhe ish-gjykatësve të larguar nga vetingu janë të vjetra, por që pas shpalljes në kërkim të Ergys Agasit dhe pas marrjes së Belinda Ballukut të pandehur, kryeministri ka filluar të sulmojë edhe gjykatësit e drejtësisë së re.
Statusi i plotë i Edi Ramës në rrjetet sociale
A e dini se gjykatat kanë dhënë deri më tani 92 raste në favor të llumit të pastruar nga vetingu, duke u dhënë një trajtim financiar prej rreth 12 milionë Eurosh nga buxheti i shtetit, pra duke i trajtuar jo si fajtorë, po si viktima që duhen dëmshpërblyer?!
Akoma më keq, këto vendime gjykatash janë dhënë me urdhër ekzekutimi pa marrë vendimi formë të prerë (në Gjykatën Administrative të Apelit), duke e detyruar ISSH-në që nga fondi i pensioneve të kryejë pagesat për shkak të vendimit me ekzekutim!
Dhe ndërkohë, radha për të marrë lekë nga taksat vazhdon edhe përtej këtij numrit 92, që do të thotë se ato 12 milionët mund të shkojnë shumë më tepër…
Kjo quhet pavarësi e papërgjegjshme!