Kompania zvicerane MABCO Constructions, aksionere mazhoritare me 98 për qind të kapitalit në Vlora International Airport, ka dalë publikisht me një deklaratë për shtyp, ku denoncon atë që e cilëson si një tentativë të organizuar për shpronësim dhe bllokim të paligjshëm të investimit në Aeroportin e Vlorës.
Në deklaratën e shpërndarë nga Tirana dhe Lugano, MABCO paralajmëron se po përballet me “një skemë të mirëorganizuar që synon shpronësimin de facto dhe de jure të investitorit shumicë dhe paralizimin e një prej investimeve më strategjike në Shqipëri”.
Trekëndëshi Balluku-Abazi-Ademi/ E vërteta për bllokimin e aeroportit të Vlorës
Sipas kompanisë, kjo po realizohet përmes vendimeve gjyqësore të marra në mënyrë të fshehtë dhe në kundërshtim me parimet themelore të së drejtës tregtare.
Thelbi i konfliktit lidhet me faktin se, sipas MABCO, gjykatat i kanë dhënë një aksioneri minoritar, me vetëm 2 për qind të aksioneve, të drejtën për të bllokuar funksionimin e shoqërisë përmes vendimeve kontradiktore të gjykatës.
E pandehura Balluku futet në Aeroportin e Vlorës/ Palë me pakicën 2% të Valon Ademit
Në deklaratë ngrihet alarm edhe për sigurinë dhe interesin publik. MABCO thekson se “ky ngërç artificial ka paralizuar punimet në Aeroportin e Vlorës” dhe paralajmëron se vijimi i punimeve pa mbikëqyrjen e aksionerit mazhoritar “përbën një rrezik serioz për standardet teknike dhe sigurinë e ardhshme të qytetarëve”.
DEKLARATË E PLOTË PËR SHTYP NGA MABCO
TIRANË / LUGANO, JANAR 2026 – Shoqëria zvicerane MABCO, zotëruese e 98% të aksioneve të kompanisë VIA (Vlora International Airport), denoncon publikisht një skemë të mirëorganizuar që synon shpronësimin de facto dhe de jure të investitorit shumicë dhe paralizimin e një prej investimeve më strategjike në Shqipëri.
Përmes vendimeve të kontestueshme gjyqësore, MABCO-s po i bllokohet çdo e drejtë në shoqërinë ku ajo zotëron pothuajse të gjithë kapitalin, duke krijuar një precedent të rrezikshëm për sigurinë juridike dhe investimet e huaja në vend.
Shkeljet kryesore të evidentuara:
• Përmbysja e parimeve tregtare: Në një rast të paprecedent, Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë i ka njohur një aksioneri minoritar (me vetëm 2% të aksioneve) të drejtën për të bllokuar të drejtat, vullnetin dhe vendimmarrjen e aksionerit që zotëron 98% të kapitalit.
• Arbitrariteti procedural: Vendimet e gjyqtarëve Fatmir Ndreu dhe Marjana Shegani janë marrë në mungesë të plotë të përfaqësuesve të MABCO-s, pa njoftim paraprak dhe në fshehtësi, duke shkelur parimin e kontradiktorialitetit.
• Zvarritja e qëllimshme: Ndonëse vendimi i gjyqtares Shegani është dhënë mbi tre javë më parë, pala jonë ende nuk është njoftuar zyrtarisht. Kjo vonesë po përdoret si mjet për të zvarritur procesin e ankimimit në Gjykatën e Apelit.
• Shpërfillja e hierarkisë gjyqësore: Pavarësisht se Gjykata e Apelit e rrëzoi më parë vendimin e gjyqtarit Fatmir Ndreu, një vendim pothuajse identik është rishfaqur nga Gjykata e Shkallës së Parë vetëm një ditë më pas, duke sfiduar hapur vendimmarrjen e një gjykate më të lartë. Kjo përmbysje e hierarkisë gjyqësore, do të përbënte kudo një rast për të hetuar deri në fund motivet që kanë çuar gjyqtaren në shpërfilljen e vendimit të një gjykate më të lartë.
Alarmi për sigurinë dhe kostoja publike
MABCO thekson se ky ngërç artificial ka paralizuar punimet në Aeroportin e Vlorës. Për më tepër, vijimi i punimeve pa mbikëqyrjen dhe kontrollin e aksionerit shumicë përbën një rrezik serioz për standardet teknike dhe sigurinë e ardhshme të qytetarëve. Ky skenar nuk dëmton vetëm investitorin zviceran, por rëndon drejtpërdrejt mbi qytetarët shqiptarë, të cilët rrezikojnë të paguajnë koston e dështimit të një projekti që duhet të bëhet funksional së shpejti.
Thirrje për ndërhyrje të menjëhershme
MABCO u bën thirrje zyrtare:
1. Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë dhe organeve të inspektimit të hetojnë menjëherë motivet dhe procedurat e ndjekura nga gjyqtarët e përfshirë.
2. Institucioneve shtetërore dhe ndërkombëtare të ndërhyjnë për të ndalur këtë tentativë për "plaçkitje" juridike të një investitori të huaj.
MABCO mbetet e vendosur të mbrojë investimin e saj qindra milionë eurosh në të gjitha instancat e drejtësisë, brenda dhe jashtë Shqipërisë, për të garantuar që ky projekt strategjik të mos mbetet peng i interesave të dyshimta.
Shoqëria MABCO (Lugano, Zvicër) Aksionere mazhoritare e VIA Sh.P.K.