Kërcënoi publikisht me vetëgjyqësi dhe hakmarrje 3 autorët e dyshuar të vrasjes tre vite më parë të të birit Martin Çeço, procedohet penalisht ne gjendje të lirë babai i moshuar.
Ditën e sotme, Policia e Korçës bëri me dije se ka marrë nën hetim 70-vjeçarin Nevzat Çeço, banues në fshatin Kolanec të Maliqit.
I moshuari një ditë më parë (15 janar), reagoi pasi Gjykata e Apelit Tiranë liroi me “arrest shtëpiak” tre autorët e dyshuar të ngjarjes së rëndë, që vranë dhe hodhën në rezervuar trupin e të riut pas një konflikti.
Ai tha se do hakmerrej duke i djegur me benzinë autorët dhe më pas do vetëflijohej, pasi nuk mund të duronte dot lirimin e autorëve.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin N. Ç., 70 vjeç, banues në fshatin Kolanec, për veprën penale “kanosja serioze për hakmarrje ose për gjakmarrje”, nënvizoi policia.
Më tej në njoftimin zyrtar theksohet se ky kërcënim erdhi pikërisht për shkak të vendimit të Gjykatës:
“Ky shtetas është shfaqur në një video të publikuar dje, në rrjete sociale, duke kanosur për jetën, autorët e dyshuar të vrasjes së djalit të tij (ngjarje e ndodhur në muajin qershor 2022), për të cilët Gjykata e Apelit Tiranë vendosi ndryshimin e masës së sigurisë nga “arrest në burg”, në masën “arrest në shtëpi”.
Çfarë tha dje babai i Martin Çeços, pasi Apeli liroi 3 autorët e dyshuar të vrasjes
I moshuari Nevzat Çeço kërcënoi me vetëgjyqësi dhe tha se do e bëjë vetë drejtësinë duke i djegur me benzinë autorët dhe më pas me vetëflijim në sallën e gjyqit. Ai u shpreh se nuk ka frikë më nga vdekja dhe se nuk mund ta pranojë që autorët që e deklaruan përfshirjen në krim, tani të lirohen pa dënim fare.
“S’kam çfarë të them më. Djali më iku pa asnjë faj. Unë do ta ndjek që nesër. Do t’i përvëloj ata me benzinë, do ti përvëloj nuk i le. Arrest shtëpie, lirim janë ato. Mua nuk më dhimbset jeta fare, po nuk i zhduka ata. Nuk i lë, do ta them troç, le të më arrestojnë ç’të duan le të bëjnë, do t’ia gjej radhën, do gjej një bidon me benzinë do t’i përvëloj si familje”, u shpreh ai i revoltuar nga vendimi i Apelit.

70-vjeçari theksoi se autorët e kanë deklaruar vetë përfshirjen, kurse Gjykata tani i liron.
“Ata janë autorët, e kanë thënë me gojën e tyre vetë dhe tani t’i lirojnë. Djali nuk pati as takime me çupën asgjë, dy dashnorë i kishte, pse nuk bëri krim tek ata, por bëri në djalin tim. Ata kanë mbjellë drogë atje lart dhe për të zhdukur djalin tim kishin dalë në Maliq dy veta. E hape gojën, do të zhdukin i kishin thënë. Djali im s’kishte faj. Nuk besoj më në drejtësia, i dënoi 25 vjet ja dhanë Tiranës thanë ky krim dënohet me burgim të përjetshëm, këta tani i liruan fare”, vijon ai.
I zhgënjyer nga vendimi i drejtësisë për të birin, ai shprehet se nuk e lë hakun pa marrë.
“Ka mbi 3 vjet, s’kam ç’them më unë do t’i djeg dhe do t’i them djalit e realizova planin tënd. Nuk dua të jetoj më dhe nuk e bëj veten të më arrestojnë, do vras veten në mes të gjyqit atje”, u shpreh ai.
Dhe në fund ai akuzoi autorët se e futën të birin në kurth sepse u zbuloi drogën e mbjellë dhe vrasja erdhi pasi më parë e kishin kërcënuar.
“Kanë bërë ç’u ka dashur qejfi me ata të fshatit. Djalin tim e bënë për krim. Si kam dëgjuar unë ata të dy kanë mbjellë drogë, bashke me atë çobanin. Kur e pikasëm ne që kishin mbjellë drogën, i dolën djalit në Maliq. Nëse hap gojën, do të vrasim i kishin thënë. Ata u lidhen vetë me atë femër. Nuk ishte lidhur djali. Djali kishte këtë në Goskovë. Ata se si e lidhën, për të bërë krimin”, shpjegoi Nevzat Çeço.
Çfarë vendosi Gjykata e Korçës dhe lirimi nga Apeli i Tiranës
Tre autorët e dyshuar, Valter Mollaj, kushëriri i tij, Edlir Mollaj dhe çobani Bleti Angjo, janë liruar nga Gjykata e Apelit, pasi kjo e fundit ka konstatuar humbjen e fuqisë së paraburgimit të caktuar në datë 20.06.2022, për shkak të tejkalimit të afatit të qëndrimit maksimal.
26-vjeçari Martin Çeço u vra dhe më pas u hodh në rezervuarin e fshatit Kolanec të Maliqit në qershor të vitit 2022.
Të tre ata u arrestuan pas dëshmisë së Martina Pajollarit, e cila vijon të jetë në burg lidhur me ngjarjen. Kjo e fundit u arrestua më vonë, pasi dyshohet se ka qenë e pranishme në momentin e vrasjes.
Gjykata e Apelit në Tiranë ka rrëzuar vendimin e Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm në Korçë, e cila caktoi më 10 shkurt 2025 një vendim me gjithsej 83 vite burg për të pandehurit në çështjen e vrasjes së Martin Çeços, duke iu përmbajtur kërkesës së Prokurorisë.
Gjykata e Korçës dha dënimin duke caktuar për Valter Mollaj: 25 vjet burg, Edlir Mollaj: 23 vjet burg, Martina Pajollari: 20 vjet burg dhe Blendi Angjo: 15 vjet burg. Por, pavarësisht këtij vendimi, mbrojtja apeloi.
Si ndodhi krimi dhe zbardhja e tij
Martin Çeço u gjet i mbytur dhe i hedhur në një rezervuar dy ditë pasi kishte humbur kontaktet me familjen.
Policia dhe prokuroria arrestuan disa persona si të dyshuar, përfshirë kushërinjtë Valter dhe Edlir Mollaj, si dhe bariun e tyre Bledi Angjo.
Sipas hetimeve, shkaku i krimit ka qenë një lidhje e viktimës me Martina Pajollarin, e cila dyshohet se kishte nxjerrë në pritë Martin Çeçon.
Pavarësisht akuzave, mbrojtja e të akuzuarve argumentoi se nuk ka prova të mjaftueshme që të lidhin ata me ngjarjen dhe paralajmëroi apelimin e vendimit.
Sipas mbrojtësve, asnjë provë konkrete nuk është paraqitur për të treguar se Valter dhe Edlir Mollaj kanë kryer vrasjen, dhe nuk janë siguruar materialet nga kompania “Meta”, ku dyshohej se viktima dhe autorët e dyshuar mund të kishin pasur kontakte.