Kryeministri Edi Rama ka nisur t’i ngacmojë gazetarët një nga një, herë me ironi dhe herë me etiketime përçmuese në rrjetet sociale. Pas Fevziut, në shënjestër ka qenë gazetarja Klodiana Lala, pas një komenti të saj për ndotjen nga plastika dhe inceneratorin e Tiranës.
Postimi i Ramës ishte përgjigje ndaj një statusi të mëparshëm të Klodiana Lalës, e cila kishte zgjedhur një ton të drejtpërdrejtë për mbeturinat në lumjenj, ka ajo ka përmendur inceneratorin e Tiranës.
“O mbret (qe je lakuriq) po te funksiononte inceneratori i Tiranes kete malin me plehra do e kishte djegur…
(Milionat jane vjedhur e ti ben propagande me ne)” ka komentuar Lala në një postim të kryeministrit.
Rama e ka shmangur përmendjen e emrit të Klodiana Lalës në përgjigjen e tij, por nuk është kursyer kur flet për një "injorancë të ububushme" duke u përqendruar te ajo që ai e quan “prurjet e urrejtjes, shpifjes dhe dizinformimit”.
“Komentatori-torja është gazetar-tare të cili-cilës ia hoqa emrin se nuk më intereson asfare polemika personale, po fakti skandaloz që një zëdhënës-nëse e opinionit publik, me një injorancë të ububushme (nuk flas për etikën apo për shqipshkrimin se pastaj i bie të rritet shumë kërkesa) u thotë qytetarëve se inceneratori i Tiranës e ka fajin për shishet e qeset plastike që hidhen rrugëve të Shqipërisë, e që me erën e pastaj me ujrat e lumenjve bëhen kapica të jashtëzakonshme e zbresin e bllokojnë rregullisht grykërrjedhjet e kanaleve kullues apo ndotin plazhet e detet…” shkruan Rama që i ndan gazetarët në të “mirë” dhe ata “jo fort të mirë”.
“Normalisht një gazetar nuk urren, nuk shpif, nuk dizinformon, po lexon, informohet dhe informon, por fatkeqësisht lloji i parë shtohet e shtohet (tamam si prurjet e plastikës) në kanalet e informimit, ndërsa lloji i dytë pakësohet dhe publiku përmbytet përditë nga prurjet e urrejtjes, shpifjes e dizinformimit! Kollaj, të urresh, shpifësh, dizinformosh është kollaj, sepse nuk ka nevojë të lexosh, të mësosh, të kuptosh të vërtetën e të jesh i drejtë dhe i mirëartikuluar, ndërsa e kundërta, uh, e kundërta ka punë e mund të madh” shkruan ai.
Pas reagimit të kryeministrit, gazetarja u rikthye me një status të dytë, kësaj here pa shumë metafora dhe me një sfidë të hapur.
“I paska dale gjumi mbretit lakuriq… o mbret qe sta tha njeri qe je lakuriq prej 14 vitesh. Te sfidoj te me dergosh nje foto te inceneratorit te Tiranes qe na ka gllaberuar mln euro. Pastaj me etiketo si te duash. Lekura sholle na eshte bere nga balta juaj! Nese ke kurajo perballem ne debat kur te duash! PS. Moa harro ne Durres ke 1500 shtepi dhe mijera hektare toke nen uje. Presin demshperblim”.
Leksionet e gazetarisë janë një pasion i vjetër i Ramës, por pasi ka vënë në kontroll thuajse 90% të mediave në vend, ai ende bezdiset nga gazetarë të caktuar, ndaj të cilëve reagon me tallje dhe cic-mice në formë presioni.