Elbasani përjashton veten nga lufta për mbijetesë me një fitore 0-2 në Korçë përballë Skënderbeut të vendit të fundit, në javën e fundit të vitit 2024. Ivan Gvozdenovic merr një hakmarrje personale ndaj ish-ekipit që e shkarkoi muajin e kaluar, pas gati dy vjetësh bashkëpunim. Në ardhjen e parë në Korçë si kundërshtar tekniku rrëmben fitoren me golat e Lleshit dhe Ze Gomes.
Ernest Gjoka, ende pa fitore, kërkonte t'i largohej vendit të fundit e korçarët dominuan pjesën e parë të ndeshjes, duke krijuar më shumë lojë e raste. Bismark ishte lojtari më i rrezikshëm i bardhekuqve, por sulmuesi nuk mundi të konkretizonte rastet e tij. Po ashtu dhe Rashica dha sinjale pozitive, por Abalora mbeti i pamundur. Në të dytën, ishte Elbasani më i vendosur për të arritur fitoren. Verdheblutë bllokuan ofensivën e Skënderbeut dhe u munduan të godisnin, duke treguar një tjetër fytyrë.
[video width="720" height="302" mp4="https://cdnimpuls.com/lapsi.al/wp-content/uploads/2024/12/6765a24b0f814-1.mp4"][/video]
Sidoqoftë, ndeshja ndryshoi kurs në minutën e 64' kur Arsen Lleshi zhbllokoi rezultatin. Goli i katërt sezonal për lojtarin, që barazoi golashënuesin Ze Gomes, që ende nuk kishte hyrë në lojë. Lleshi festoi me tifozerinë elbasanase që kishte udhëtuar për të mbështetur skuadrën në transfertën e fundit për këtë vit. Skënderbeu u mundua të reagonte dhe Gjoka kreu disa zëvendësime për të kërkuar barazimin. Korçarët në fakt shpërdoruan shumë, ndërsa verdheblutë administruan mirë lojën. Në fund, Elbasani goditi edhe njëherë me Ze Gomes që dyfishoi shifrat sapo hyri në lojë. Portugezi vulosi tre pikët që lejojnë Elbasanin të shkojë më i qetë në pushimin e kampionatit.
[video width="858" height="360" mp4="https://cdnimpuls.com/lapsi.al/wp-content/uploads/2024/12/6765a890dee0f.mp4"][/video]
Lexo më tej: Elbasani përmbys një Bylis me 10 lojtarë, Dede: "Babagjyshi kishte ardhur që sot"
Gvozdenovic dënon ish-ekipin e tij dhe feston suksesin e parë në pankinën verdheblu, pikërisht në qytetin ku ka përjetuar fazën më të rëndësishme të karrierës së tij. Për Skënderbeun, vazhdon periudha e errët dhe shtohet edhe më shumë rreziku i rënies në Kategorinë e Parë, me vendin e fundit me 15 pikë.