Flash

BE i kujton Kurtit Asociacionin: Nuk mund të heqësh dorë nga përgjegjësitë në dialog

Lapsi.al 20 November 2024
BE i kujton Kurtit Asociacionin: Nuk mund të heqësh dorë nga

Bashkimi Evropian thotë se Qeveria e Kosovës nuk mund të hartojë statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe jashtë dialogut të Brukselit. Sipas tyre, çdo propozim duhet të diskutohet me Serbinë, ndërmjetësuesin e BE-së si dhe të jetë në përputhje me marrëveshjen e vitit 2013 dhe 2015. Përkitazi me këtë, në unionin evropian kërkojnë nga ekzekutivi kosovar që pa vonesa ta dërgojnë draft-statutin e Asociacionit, të hartuar nga BE-ja në Gjykatën Kushtetuese.

Një ditë pasi kryeministri Albin Kurti tha se nuk mund të bëjë asociacione të komunave në cilësinë e shefit të qeverisë dhe se iu takon komunave të bëjnë asociacionin, në BE thonë se Qeveria nuk mund të heqë dorë nga përgjegjësitë e saj në kuadër të dialogut apo t’ua delegojë ato komunave me shumicë serbe.

KosovaPress ka dërguar pyetje në Qeverinë e Kosovës në lidhje me këtë qëndrim të Bashkimit Evropian, mirëpo deri në momentin e publikimit të tekstit nuk kanë kthyer përgjigje.

Në anën tjetër, njohësit e procesit të dialogut thonë se pavarësisht presionit ndërkombëtar ndaj Qeverisë së Kosovës për dërgimin e draft-statutit të Asociacionit në Gjykatë Kushtetuese, një gjë e tillë nuk pritet të ndodh. Sipas tyre, kryeministri Albin Kurti nuk do të dërgojë draft-statutin e Asociacionit në Kushtetuese pa përfunduar zgjedhjet e 9 shkurtit, pasi një gjë e tillë do të ndikonte në humbjen e votave në zgjedhje.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, thotë për KosovaPress se kryeministri Albin Kurti duhet të ecë përpara në zbatimin e Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit, të arritur në vitin 2023, rrjedhimisht edhe të nisë hapat për themelimin e Asociacionit.

Më tej, Stano shton se draftstatuti evropian për Asociacionin bazohet në modelet dhe praktikat e mira evropiane si dhe në kornizën ligjore të Kosovës.

Sipas tij, Kurti e ka pranuar në parim draft-statutin, në prani të liderëve evropianë dhe se i njëjti është mbështetur nga 27 vendet e BE-së. Andaj, siç thotë ai kualifikimi i këtij dokumenti si një “non-paper” shpërfill ftesën e Këshillit të Bashkimit Evropian për të vazhduar mbi këtë bazë dialogun e Brukselit.

Në anën tjetër, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, thotë për KosovaPress se Bashkimi Evropian e ka bërë obligim për Kosovën draft-statutin e Asociacionit të hartuar nga ata. Sipas tij, një gjë e tillë po shihet në bazë të qëndrimeve të institucioneve të BE-së dhe liderëve evropianë.

Megjithatë, ai thekson se nuk pret që kryeministri Kurti të dërgojë draftin në Gjykatë Kushtetuese para zgjedhjeve të 9 shkurtit. Pas përfundimit zgjedhor, sipas tij, kushdo që do të jetë kryeministër “me një buzëqeshje të butë do të dërgojë draft-statutin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese”.

Ndërkaq, analistja politike, Magbule Shkodra, deklaron se kryeministri Albin Kurti po heziton të dërgojë draft-statutin e Asociacionit në kushtetuese për shkak të së kaluarës së tij dhe kundërshtimit të madh që i ka bërë kësaj teme.

Sipas saj, Kurti nuk do të dërgojë draftin në Kushtetuese edhe për shkak të zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe rrezikut që kjo temë t’i humbë vota.

Kryeministri Albin Kurti dje deklaroi se nuk mund të bëjë asociacione të komunave në cilësinë e shefit të qeverisë, pasi një gjë e tillë, siç tha ai, iu takon komunave ta bëjnë.

Në vitin 2013, Kosova ka nënshkruar Marrëveshjen e Brukselit, e cila u ratifikua edhe nga Kuvendi i Kosovës me shumicë prej dy të tretave. Mes tjerash, aty parashihet edhe themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Përkitazi me këtë temë, Kosova u dakordua edhe për marrëveshjen e parimeve për Asociacionin në vitin 2015, derisa në kuadër të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit të arritur në vitin 2023, parashihet zbatimi i marrëveshjeve të kaluara dhe krijimi i një vetëmenaxhimi për komunitetin serb në Kosovë./KosovaPress/

Të këshilluara

ide

Shqipëria nuk ka pse të arrijë Europën, tani mund ta udhëheqë atë

Në një editorial për The Guardian, Lea Ypi shkruan se protestat e të rinjve tregojnë se Shqipëria mund t’i japë Europës një mësim mbi vetërespektin. Sipas saj, brezi që thotë “Shqipëria nuk është në shitje” po sfidon modelin ku natyra shitet për investime, demokracia kapet nga të pasurit dhe integrimi europian përdoret për të mbyllur gojën kritikëve.

16:35 Lea Ypi

Çfarë e ka shfazuar Edi Ramën

Përtej teorive komplotiste ka një shpjegim të thjeshtë se si ata të rinj që bërtasin rrugëve të Shqipërisë kundër kryeministrit të tyre, u gjendën në të njëjtën anë të barikadës me mediat më të rëndësishme të globit

16:26 Andi Bushati

MOTI TIRANA

18°c

KËMBIMI EURO

95.19

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI