Lista e dëmtimeve po zgjatet dhe lajmet janë pothuajse gjithmonë të këqija. Pas dëmtimit të Cabal, që ka lënë mbrojtjen në minimum, Juventus rrezikon të paraqitet në ndeshjen e madhe të së shtunës kundër Milanit në “San Siro” pa sulmues. Llogaritë janë të thjeshta: Nico Gonzalez ende nuk është rikuperuar, Milik është zhdukur nga skena, ndërsa Vlahovic, i cili doli nga loja për shkak të një problemi në muskujt fleksorë gjatë ndeshjes së Serbisë kundër Danimarkës, do t’i nënshtrohet sot testeve që me shumë gjasa do të sugjerojnë mosaktivizimin e tij (në mënyrë eufemistike) ndaj kuqezinjve. Me pak fjalë, kjo do të thotë se Thiago Motta do të ketë në dispozicion për rolin e qendërsulmuesit vetëm dy lojtarë “të përshtatur” si Yildiz dhe Weah. Jo zgjidhja ideale për një ndeshje që ka rëndësi nga çdo këndvështrim.
Lexo më tej: Caressa, tallja epike për Vlahovic: “Prek më pak topa se Perin dhe Di Gregorio”
Por të kthehemi te Vlahovic. Pamja e tij e tensionuar ndërsa linte fushën nuk lë vend për optimizëm. Ai ndjeu tërheqje në muskuj dhe shqetësimi ishte aq i madh sa nuk mundi ta përfundonte ndeshjen. A u ndal në kohë? Këtë do ta tregojnë testet, por padyshim që pesë ditët që kanë mbetur deri te Milan-Juve duken të pamjaftueshme për një rikuperim të shpejtë. Një rikuperim i tillë do të ishte gjithsesi një rrezik i madh, duke qenë se, si në mbrojtje, ashtu edhe në sulm, ekipi ka shumë pak alternativa.
CILAT JANË ALTERNATIVAT?
Kështu që, duket e domosdoshme të mendohet për zgjidhje alternative. Yildiz dhe Weah tashmë kanë luajtur si “falso nëntë” gjatë ndeshjeve, por vetëm për disa momente dhe në kushte specifike. Fillimi i një ndeshjeje në këtë pozicion është një gjë krejtësisht tjetër, edhe pse duhet thënë se Motta është mësuar të luajë me një qendërsulmues që tërhiqet për të favorizuar depërtimet e mesfushorëve. Në këtë aspekt, ndoshta të dy këta lojtarë janë madje më të mirë se Vlahovic. Megjithatë, kur të duhet të mbushësh zonën me centimetra dhe fuqi fizike, turku dhe amerikani mund të hasin më shumë vështirësi.
ALARMI CHAMPIONS...
Nëse problemi do të ishte vetëm për transfertën në “San Siro”, mund të thuhet se ai do të ishte disi i menaxhueshëm. Problemi është se javën tjetër rikthehet Liga e Kampionëve dhe përballja kundër Aston Villa-s ka një rëndësi të jashtëzakonshme. Nuk është thjesht një etapë e një udhëtimi ende të gjatë (si në kampionat), por ndoshta ndeshja më e rëndësishme e kalendarit të Juventusit, ajo që do të ndihmojë për të kuptuar nëse bardhezinjtë mund të shpresojnë të hyjnë në tetëshen më të mirë apo jo. Me pak fjalë, Vlahovic është thelbësor në Birmingham. Nëse do të jetë i gatshëm, do ta zbulojmë sot.