Një ditë pasi foli me presidentin e zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç udhëtoi drejt Azerbaxhanit për të marrë pjesë në punimet e Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike. Në Baku, Vuçiç u takua me homologun e tij, Ilham Aliev. Duke folur për mediat serbe nga Baku, Vuçiç përsëriti edhe një herë rëndësinë e bisedës me Trump, të cilën e quajti me interes të jashtëzakonshëm.
Ai tha se ishte ndër 10 liderët e parë në botë që ka folur me Trump, duke shtuar se presidenti i SHBA dhe Elon Musk e njihnin "shumë mirë" situatën në Serbi.
Zyrtarisht, vizita e Vuçiç në Azerbaxhan ka për qëllim rritjen e shkëmbimeve tregtare në gaz dhe armë si pjesë e Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike, por takimi me Aliev ka edhe një domethënie simbolike tjetër për sytë dhe veshët e serbëve në raport me Kosovën
Rreth një vit më parë, në një intervistë për televizionin "Pink", Vuçiç u premtoi serbëve se nëse Trump do fitonte zgjedhjet në SHBA, atëherë Serbia ka shanse të rikthehet në Kosovë. Kur u pyet se si do të ndodhte ky rikthim, Vuçiç mori shembullin e strategjisë që ndoqi Azerbaxhani, që "priti 27 vjet për krijimin e kushteve speciale gjeopolitike" për pushtuar territoret e Nagorni-Karabak.
Deklarata u bë në mesin e fushatës elektorale për zgjedhjet në Serbi, megjithatë serbët e pritën me gëzim fitoren e Trump, si presidenti që për herë të parë hapi dyert e shtëpisë së bardhë për një president serb.
Të dielën në mbrëmje, Trump zhvilloi një telefonatë me Vuçiçin, dhe sipas këtij të fundit e falenderoi për mbështetjen që i dha me votë komuniteti serb, që jeton në SHBA.