Një ide e bujshme po merr formë në Firence në funksion të zgjedhjeve komunale të vitit 2024. Sipas La Nazione, në fakt, koalicioni i qendrës së djathtë po mendon të kandidojë argjentinasin Gabriel Omar Batistuta për kryetar bashkie. Batigol, një legjendë e Fiorentinës, numëron 208 gola në 333 paraqitje me fanellën vjollcë mes viteve 1991 dhe 2000.
Siç raporton gazeta, kontaktet me ish-goleadorin kanë nisur në fillim të korrikut, pas disa sondazheve të bëra me personalitete të tjera të shquara të kryeqytetit toskan. Për momentin, megjithatë, mbetet nyja e shtetësisë, duke qenë se Batistuta është argjentinas dhe, për rrjedhojë, nuk është i kandidueshëm. Megjithatë, emri i Batigol duket veçanërisht sugjestionues për të fituar një qytet që ka qenë gjithmonë shumë i vështirë për qendrën e djathtë.
PRECEDENTËT
Detyra e kryetarit të bashkisë është veçanërisht e popullarizuar me ish-futbollistët. Kakhaber Kaladze, ish-mbrojtësi i Milan, mban rolin e kryetarit të Bashkisë së Tbilisit që nga viti 2017. Ndërsa Damiano Tommasi, mesfushor i Romës për 10 vjet, u zgjodh kryebashkiak i Veronës. Një shembull tjetër, ndoshta më pak i njohur, është ai i Carlo Nervo, për një kohë të gjatë te Bolonja, nga viti 2009 deri në 2014, kryebashkiak i Solagna, në provincën e Vicencës. Në Firencen, ku mund të kandidojë Batigol, ka provuar më parë një ish-portier i madh si Giovanni Galli. Në vitin 2009 ishte pikërisht qendra e djathtë që e zgjodhi për të sfiduar Matteo Renzi, ndaj të cilit ai humbi më pas në balotazh.
Në fund janë ata që fituan titullin “kryetar bashkie” në fushë: ky është rasti i Marco Osio, i mbiquajtur kështu nga fansat e tij në kohën e Parmës pasi një pankartë u shfaq në Tardini ku shkruhej “Osio kryebashkiak”.