Takimi në videokonferencë është caktuar për sot. Avokati Ledure, njeriu i besuar i Romelu Lukaku dhe arkitekti i negociatave që riktheu belgun në Milano, do t'i prezantojë Chelsea ofertën zyrtare. Pikërisht atë ofertë që Inter e ka studiuar për të tentuar mbylljen përfundimtare të negociatave. Inter kërkon riblerjen e Big Rom, në presion edhe nga ndërhyrja e Juventus. Për momentin, palët janë ende larg. Nga njëra anë, klubi londinez e vlerëson belgun jo më pak se 45 milionë. Në tjetrën janë zikaltrit që nuk kanë ndërmend të shkojnë përtej 35, të ndara në pesë të huazimit dhe 30 të detyrim blerjes, të përcaktuar për vitin e ardhshëm. Chelsea bën presion me 50 milionët që Al Hilal, një klub saudit, është i gatshëm të paguajë për Lukaku. Avokati Ledure nga ana e tij do të përsërisë vendosmërinë absolute të klientit të tij. Lukaku nuk ka ndërmend të marrë në konsideratë zgjidhje të tjera përveç asaj interiste.
Lukaku, përtej thashethemeve që kanë lidhje me afrimet, fillimisht të Milan dhe së fundmi Juventus, preferon vetëm zikaltrit. Aq sa belgu ka dhënë gatishmërinë për të ulur më tej pagën e tij, duke shkuar nga 8.5 milionë aktual në sezonin me 7.5. Klubi milanez nga ana e tij i ka ofruar lojtarit një kontratë katërvjeçare, deri në vitin 2027, në mënyrë që të jetë në gjendje të shpërndajë kostot e menaxhimit për një vit tjetër. Për momentin Lukaku qëndron në Sardenjë ku po kalon pushimet e tij, duke u stërvitur intensivisht çdo ditë. Sulmuesi kërkon të mund të prezantohet në mënyrën më të mirë të mundshme, kur të rifillojnë stërvitjet në Appiano Gentile. Sigurisht që ai nuk do të paraqitet në grumbullimin e Chelsea të planifikuar për të mërkurën.