Cristiano Ronaldo është prezantuar si lojtari i ri i Al Nassr. Portugezi mbërriti në stadium (i tejmbushur) pak pas orës 17:00. CR7 është mirëpritur nga drejtuesit e klubit saudit dhe nga zyrtarët e lartë të shtetit. Stadiumi “Mrsool Park” me kapacitet afro 30 mijë vende ishte mbushur me tifozë të skuadrës së Al Nassr, në ditën e prezantimit të yllit botëror Cristiano Ronaldo. Fishekzjarret kanë ndezur fushën në momentin që portugezi ka hyrë në fushë...
Një atmosferë dhe ceremoni e jashtëzakonshme me surpriza që nuk munguan edhe në sallën e konferencës. Ronaldo ishte gati të thoshte fjalët e para si futbollist i Al Nassr, kur një gazetar rrëmbeu skenën duke brohoritur në sallë ‘Siuuu’. Festimi i tij si Ronaldo ka surprizuar edhe vetë yllin portugez.
FJALËT E PARA TË CR7 SI LOJTAR I AL NASSR
"Është një mundësi e madhe, jo vetëm në futboll, për të ndryshuar mentalitetin e gjeneratave të reja - tha Ronaldo -. Shumë klube nga Australia, Shtetet e Bashkuara, Portugalia janë përpjekur të nënshkruajnë me mua. Puna ime në Evropë ka mbaruar. Jam krenar që kam nënshkruar për Al Nassr. Është vendimi im, familja ime më ka mbështetur, veçanërisht fëmijët e mi. Ne jemi krenarë për këtë. Njerëzit në Arabinë Saudite më duan. Mirëpritja ishte spektakolare".
Lexo më tej:
Arabia Saudite, CR7 njeriu imazh për Botërorin 2030: një biznes prej 1 miliardë euro e nga 2025 si ambasador
"Futbolli tani është ndryshe, evolucioni i futbollit është ndryshe. Shumë njerëz flasin por nuk dinë asgjë për futbollin - shtoi CR7 -. Unë dua të përcjell një vizion të ndryshëm të vendit dhe futbollit këtu. E kjo është arsyeja pse e pranova këtë sfidë. Nuk më intereson se çfarë thonë njerëzit, sot futbolli ka evoluar dhe është shumë konkurrues. Nuk është fundi i karrierës sime. Kam thyer të gjitha rekordet në Evropë dhe dua ta bëj edhe këtu. Kam ardhur këtu për të fituar. Unë dua të argëtohemi dhe të buzëqeshim së bashku këtu te Al Nassr. Bota e futbollit është shumë e avancuar, kampionati është shumë konkurrues dhe jam i lumtur që jam këtu. Mezi pres të luaj, edhe nesër nëse trajneri më jep mundësinë". Të pranishëm ishin disa gazetarë, por askush nuk u lejua t'i bënte pyetje Ronaldo.