Partia Demokratike akuzoi ashpër ambasadoren e SHBA-ve Yuri Kim, duke theksuar mes të tjerash se i shërben Edi Ramës dhe se ka shkelmuar vendimin e gjykatës, ka injoruar vullnetin e zgjedhësve pas takimit me Enkelejd Alibeaj, duke e njohur atë si kryetar.
Lexo më tej: Yuri Kim vijon misionin e përçarjes së opozitës
Deklarata nis me një kunjë, ku theksohet se ambasadorja Kim ka reaguar pas një heshtje të gjatë të kuptueshme nga zgjedhjet e 6 marsit, duke nënkuptuar disfatën që pësoi ajo me fushatën që bëri kundër Sali Berishës në zgjedhjet e pjesshme bashkiake.
"Pas një heshtje të zgjatur e të kuptueshme nga zgjedhjet e 6 Marsit, ambasadorja Yuri Kim injoroi themelin e demokracisë së shtetit të saj “We, the People”." - thuhet në reagim.
Deklarata vijon duke e cilësuar absurd dhe qesharak shpalljen e kreut të grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeajn si kryetar të PD-së.
"Yuri Kim hyri sot në Kuvendin e Shqipërisë për një takim me kreun e grupit parlamentar të PD Enkelejd Alibeaj, por kur doli, me anë të një deklarate e shpalli atë në mënyrë qesharake dhe absurde si kryetar të Partisë Demokratike." - vijon deklarata.
Në reagimin ndaj ambasadores, PD-ja thotë se ngjashëm me herët e mëparshme, Yuri Kim shkeli Konventën e Vienës si diplomate.
"Yuri Kim sot, sikurse dhe herë të tjera, nuk bëri asgjë më pak përveçëse shkeli në mënyrë të përsëritur Konventën e Vienës si diplomate, duke shkelmuar mbi vendimin e gjykatës që konfirmoi verdiktin e demokratëve në Kuvendin e 11 dhjetorit, që i riktheu selinë, logon dhe vulën Komisionit të Rithemelimit- organit kolegjal të vetëm udhëheqës aktual të Partisë Demokratike. Ajo gjithashtu, injoroi edhe votën e zgjedhësve të shprehur qartë më 6 mars."
Reagimi arrin kulmin e ashpërsisë duke htënë se ajo është në shërbim të lojrave të Edi Ramës për të goditur opozitën.
"Yuri Kim vërtetoi sot atë që e ka parathënë edhe me veprime të tjera se është në shërbim të lojrave të Edi Ramës për të dobësuar dhe për të mbajtur sa më gjatë peng opozitën, duke komanduar për kryetar ata që u refuzuan me votë masive nga demokratët." - thuhet në reagim.
Deklarata përmbyllet duke bërë një konstatim se shqiptarët e kanë kuptuar se cilat janë vlerat e vërteta të SHBA-së.
"Për fat të mirë, shqiptaret e kanë kuptuar se vlerat e verteta të SHBA nuk janë arroganca, diversioni apo diktati, por vota e lirë dhe demokracia. Këtë e kuptoi edhe ish kryetari që u largua dhe do ta kuptojë cilido që mendon të uzurpojë opozitën kundër vullnetit të shumicës."
©LAPSI.AL