Boiken Abazi, ish-kreu i Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri ka bërë një koment pas protestës që u mbajt në Beograd në mbështetje të Rusisë për atë që po bën në Ukrainë. Sipas Abazit, nuk përbën më lajm që Serbia ishte dhe mbetet një aleate e Rusisë, por ka ndryshuar mënyra si tashmë po e sheh perëndimi Beogradin.
“Protesta masive në Beograd në mbështetje të Rusisë nuk përbën lajm. Serbia kjo ka qenë, e pandryshuar prej Millosheviçit, e drejtuar nga trashëgimtarët e tij politikë, me të njëjtat aspirata ekspansioniste në rajon, e lidhur kokë e këmbë me Rusinë.
Shqiptarët (jo oportunistë) dhe popuj të tjerë të Ballkanit e kanë denoncuar pa reshtur këtë Serbi të papenduar, por shumëkujt në Perëndim nuk i ka bërë përshtypje sepse (gabimisht) nuk i dukej si kërcënim.
Ama sot, sot që Putini po kryen një luftë gjenocidiale në Ukrainë, sot që Putini ka kërcënuar shumë vende Perëndimore, sot që bombat e Putinit edhe mbi centralet bërthamore në Ukrainë mund të bëjnë gjëmën, sot që aleanca e Vuçiqit dhe Dodikut me Putinin kërcënon gjithë Evropën, sot më në fund i gjithë Perëndimi po e shikon sërish Serbinë me sytë e popujve ballkanik ndaj të cilëve ajo ka kryer gjenocid.
Lajmi nuk është protesta në Beograd. Beogradi nuk ka ndryshuar asgjë. Lajmi është ndryshimi i optikës perëndimore mbi Serbinë” – shkruan Abazi. ©LAPSI.al