Klasa politike shqiptare është bërë qesharake me ritualin e paszgjedhjeve të radhës; Ngrihet një Komision për Reformën Zgjedhore. Kështu ka ndodhur edhe me 10 shkurt të këtij viti kur opozita dhe mazhoranca kanë rëndë dakord për ngritjen e komisionit që do të bëjë një reformë tjetër zgjedhore.
Por veç kësaj artikulohet më të madhe vota e emigrantëve, një refren ky i përsëritur nga Partia Socialiste prej së paku 13 vitesh. Të njëjtën gjë ka bërë sigurisht edhe Partia Demokratike, por në fianle palët ia pasojnë topin njëra-tjetrës për gjoja dështim të miratimit të këtij elementi të rëndësishëm.
“Vota e emigrantëve shqiptarë dhe që sipas tij është një prej objektivave strategjikë të Partisë Socialiste dhe që lidhet me mjedisin dhe me kornizën e zhvillimit të zgjedhjeve në Shqipëri”, ka thënë sot Taulant Balla, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.
Në thelb as PS dhe as PD, LSI jo e jo, nuk e duan votën e emigrantëve në asnjë palë zgjedhje. Preferojnë më shumë t’i sjellin ata me autobusa e avionë sepse në këtë mënyrë i intimidojnë më tepër dhe ia kontrollojnë votën sesa t’iu japin të drejtën ta hedhin votën e tyre me postë apo elektronikisht.
Vota e emigrantëve shqiptarë nëpër botë është më pak e kontrollueshme, qoftë edhe me patronazhistët e “Rilindjes”. Emigranteve nuk iu bëhët kaq kollaj presion me një vend pune në Shqipëri dhe as mund ta shesin votën për një thes me miell. Pikërisht për këtë klasa jonë politike i ka lënë ata mënjanë nga vendi amë, duke pranuar prej tyre vetëm dërgesat për ekonominë shqiptare, por i refuzojnë paturpësisht të drejtën e votës. Edhe ky komision i reformës zgjedhore mos prisni të sjellë ndonjë gjë të re në këtë drejtim. Thjesht do bëjnë sikur duan t'u mundësojnë emigrantëve të drejtën e votës në pranverën e vitit 2022. ©LAPSI.al