“Shikoni faturat, sesi Zoto paguan Zoton për të këshilluar Zoton. Stela paguan Stelën për të këshilluar Stelën”. Kështu e nis denocnimin e saj kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi për aferën e inceneratorëve. Ajo ka publikuar datat dhe faturat e pagesave të inceneratorit të Elbasanit për konsulencë.
“Deri në dhjetor të vitit 2021, 'Zoto Consulting' ka marrë nga inceneratorët 118 milionë lekë të reja, ndërsa 'Consulting SE Partners', kompania e konsulencave të Stela Gugallja, ka marrë 127 milionë lekë të reja. Ministrat dhe zyrtarët e qeverisë, kryetarët e bashkive, miqtë e tyre, kanë vepruar bashkë si një grup i strukturuar kriminal. Në komisionin hetimor parlamentar publiku po shikon disa deputetë-avokatë mbrojtës të aferës korruptive të shekullit”, shprehet Kryemadhi.
LSI ka bërë denoncim në SPAK për ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, i cili u arrestua pak javë më parë për këtë aferë. Në kërkim vijon të jetë Stela Gugallja, Klodian Zoto e Mirel Mërtiri. Ndërkohë pritet që në pranga për dosjen e inceneratorëve të përfundojnë dhe zyrtarë e ish-zytarë të të tjerë të qeverisë që janë përfshirë në këtë proces. ©Lapsi.al
