Ish-kryeministri Sali Berisha, ka qenë i ashpër me deklaratat e bëra nga ambasadorja Yuri Kim ku më herët përdori thënien që “demokratët të mos hanë bar”. Në emisionin “Dekalog" të gazetarit Roland Qafoku në RTSh 24, Berisha tha se, ndonëse ai i kërkoi ambasadores që t’u kërkonte falje shqiptarëve, ajo nuk e bëri pasi ka “arrogancë të tepëruar”.
“Përgjigjen që unë i dhashë asaj për barin mund ta plotësoj. Zonja, e cila vjen nga vendi i madh i Lirisë dhe përfaqëson vendin e lirisë, përdori citatet e Enver Hoxhës për të fyer shqiptarët. Përdori barin. Atyre që u kujtohet Enver Hoxha, u thoshte shqiptarëve që bar do hamë dhe amerikanëve nuk do tu nënshtrohemi.
Që një diplomate, përfaqesuese e vendit që kontribuoi të përmbyste komunizmin, të citojë Enver Hoxhën, o ka qenë anëtare e grupeve leniste dhe ka studiuar Enver Hoxhën, ose pastaj është keq këshilluar. Ndaj kësaj deklarate unë i kam kërkuar asaj që tu kërkojë ndjesë shqiptarëve për nëj fyerje të tillë.
Përndryshe, jashtë normave të mija, i kam sugjeruar ta mbajë barin për vete. Këto i kam deklaruar në atë kohë. Ky insert, i cili kishte marrë një përgjigje në dhjetor, në konferencë shtypi, i kam kërkuar tu kërkojë ndjesë publike shqiptarëve.
Nuk e bëri se arroganca nuk është virtyt dhe kur bën një fyrje kolektive, njeriu edhe ndaj një fyerje individuale, duhet të kërkojë ndjesë. Por ndaj një fyerje kolektive vetëm një arrogancë e papërmbajtur të pengon të kërkosh ndjesë. Nuk e kam armike”, - tha ish-kryeministri.