Këshilli Kombëtar i PD-së shkarkoi pasditen e së dielës nga funksionet 10 anëtarë të kësaj partie që dolën në mbështetje të ish-kryeministrit Sali Berisha.
Nuk do të mbajnë më funksionet Edi Paloka si kryetar i Këshillit Kombëtar të PD-së. Nuk do jenë më anëtarë të kryesisë: Flamur Noka, Aldo Bumçi, Gent Strazimiri, Albana Vokshi dhe Oerd Bylykbashi. Nuk do të jenë më sekretarë: Ervin Minarolli, Ivi Kaso, Belind Kelliçi dhe Ledina Mandia.
Nga 257 anëtarë të Këshillit Kombëtar që morën pjesë në votim, 251 votuan pro shkarkimit, 4 kundër dhe 2 fletë votimi të pavlefshme. Numri total i anëtarëve te Këshillit është 479.
Në një reagim pas shkarkimit me votim të fshehtë, PD thotë se ky vendim u mor për moszbatim të vendimit të kryesisë në lidhje me Kuvendin e datës 18 Dhjetor.
Partia Demokratike thotë se shumica sot votoi kundër përçarjes dhe krijimit të strukturave paralele, ndërsa thekson se u rrëzuan akuzat e Sali Berishës për mungesë të kuorumit.
“Partia Demokratike bëri publik emrat e 257 anëtarëve të Këshillit Kombëtar që morën pjesë në votimin për shkarkimin e Kryetarit të këtij Këshillit, disa anëtarëve të kryesisë dhe disa sekretarëve për moszbatim të vendimit të kryesisë në lidhje me Kuvendin e datës 18 Dhjetor.
Transparenca në praninë e mediave, ndryshe nga tubimi i djeshëm, rrëzon akuzat e pabaza zotit Berisha për mungesë kuorumi. Mediat, përfshi edhe ato pranë zotit Berisha, ishin dëshmitarë të votimit të shumicës absolute të Këshillit Kombëtar kundër përçarjes dhe krijimit të strukturave paralele në emër të demokratëve”, - thotë Partia Demokratike. ©LAPSI.al