Flash

Vuçiç: Duam bisedime të shpeshta dhe të shumta me Prishtinën

Lapsi.al 24 November 2021
Vuçiç: Duam bisedime të shpeshta dhe të shumta me

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha sot se Serbia dëshiron të bisedojë me Prishtinën për të gjitha temat e hapura dhe nuk dëshiron të jetë fajtore për bllokimin e bisedimeve.

“Serbia kërkon dhe dëshiron bisedime me Prishtinën në çdo nivel, sa më parë, sa më shumë e sa më shpesh. Mendoj që është me rëndësi të flasim për secilën temë, posaçërisht për Asociacionin (e komunave me shumicë serbe) dhe energjinë, por edhe të përpiqemi të arrijmë çfarëdo, qoftë edhe një mirëbesim minimal mes nesh, që të mos ndodhin situata në të cilat ndodheshim para një muaji”, tha ai, duke nënvizuar se kjo është kërkesë e Serbisë që ai e ka bërë edhe në takimin me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak. Presidenti serb tha se Beogradi nuk mund të lejojë të fajësohet për çfarëdo bllokimi të bisedimeve, rreth të cilave tha se do të diskutojë edhe me presidentin rus, Vladimir Putin, me të cilin do të takohet të enjten në Sochi.

“Së pari, ne kemi rënë dakord për programin strategjik ruso-serb të bashkëpunimit ekonomik për periudhën 2021-2026, në fusha të ndryshme të zhvillimit ekonomik, në fusha të ndryshme të shkëmbimit tregtar dhe kjo është diçka që ne e kemi përgatitur për një kohë të gjatë dhe më në fund ramë dakord me partnerët tanë rusë. Mendoj se kjo është e rëndësishme për ne dhe sigurisht, besoj se nuk është e parëndësishme për Moskën”, tha ai.

Presidenti serb tha se sapo të kthehet nga Rusia, do t’u shkruaj shefave të vendeve dhe qeverive dhe institucioneve evropiane dhe “do të kërkoj përgjigje se si është e mundur që Albin Kurti, kryeministër i institucioneve të përkohshme, shumë qartë para disa ditësh foli për bashkim me Shqipërinë dhe askush nuk reagoi”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një interviste për Radio “Monocle”, ditë më parë, tha se “nëse në të ardhmen do të organizohej një referendum paqësor dhe demokratik, do të votoja për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, por e përsëris, vetëm nëse do bëhej në mënyrë paqësore dhe demokratike”.

Lajçak në përpjekje për një takim te nivelit të lartë politik Kosovë – Serbi

I dërguari i BE-së, Miroslav Lajçak, takoi të hënën në Vjenë edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për të diskutuar për procesin e bisedimeve, ndërsa të enjten pritet të qëndrojë edhe në Prishtinë në kuadër të përpjekjeve për të organizuar një takim te ri midis palëve para fundit të këtij viti.

Javën e kaluar ministrat e Jashtëm të BE-së bënë thirrje për “angazhim konstruktiv të palëve” për një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve.

Kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiç, u takuan dy herë gjate verës por pa ndonjë përparim. Vëzhguesit thonë se edhe nëse do të ketë ndonjë takim të ri, vështirë të pritet ndonjë përparim, ndërkohë që Serbia, e cila kundërshton pavarësinë e Kosovës, do të mbajë zgjedhjet e reja presidenciale e parlamentare në pranverën e vitit që po vjen.

Aktualisht palët vazhdojnë të kenë qëndrime tërësisht të ndryshme për temat që duhet të diskutohen në bisedime nëse ato vazhdojnë. Prishtina thotë se tema kryesore duhet të jetë ajo e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur gjatë luftës.

Serbia ngulë këmbë që të diskutohet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian nuk kanë thënë se cilat do të ishin temat e bisedimeve, por kërkojnë zbatimin e marrëveshjeve të deritashme dhe rrugën përpara në procesin e bisedimeve.

Të mërkurën zëdhënësi i BE-së Peter Stano, tha se kjo nënkupton edhe respektimin e marrëveshjes lidhur me vizitat e ndërsjella të zyrtarëve të të dyja palëve,

Qeveria e Kosovës refuzoi një kërkesë të shefit të zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç për një vizitë në disa zona të banuara me shumicë serbe në Kosovë, duke nënvizuar “gjuhën nxitëse dhe provokuese” të tij.

Stano tha se sipas njohurive të tij vizita ishte paralajmëruar me kohë dhe procedurat ishin kryer në pajtim me marrëveshjen, e cila, nënvizoi ai, parasheh që të gjitha vizitat duhet të zhvillohen në atë mënyrë “që të çojnë përpara normalizimin e marrëdhënieve dhe ndihmojnë përparimin në procesin e bisedimeve”.

Të këshilluara

ide

Një antihero i dëshpëruar i Homerit

Kryeministri ka përdorur mitin antik të Odiseut që nuk joshet nga sirenat, për të përçuar mesazhin se ai do të vazhdojë përpara pa pyetur për protestuesit. Por nëse nuk do e kish njohur veprën e Homerit vetëm përmes ekranizimit, do të kish gjetur tek kjo metaforë gjurmët e një autokrati

16:50 Andi Bushati

Fillimi i fundit të pushtetit të Ramës

Fillimi i fundit mund të jetë mu ky moment, kur piqet bindja e rrëzimit të një kryeministri a qeverie a rendi - pra të një lloj bindjeje se gjërat nuk do të kthehen aty ku ishin para se të fillonte protesta

09:47 Veton Surroi

MOTI TIRANA

24°c

KËMBIMI EURO

94.48

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI