Prej mëngjesit të së mërkurës minatori 60-vjeçar Muharrem Plaku ka mbetur i bllokuar brenda minierës në qytetin e Bulqizës.
Shkak u bë shembja e një masivi kromi në hyrje të galerisë. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar forcat e Avari-Shpëtimit të Minierave, por deri tani pa rezultat.
Në ndihmë të tyre kanë punuar edhe kolegët e 60-vjeçarit, por ende nuk e kanë gjetur asnjë shenjë të tij.
Kërkimet kanë vijuar edhe gjatë natës për të nxjerrë materialet nga galeria, por për shkak të pozicionit nuk mund të punojnë shumë persona njëkohësisht.
Në vendin e ngjarjes qëndrojnë familjarë dhe të afërm që presin në ankth për fatin e Muharrem Plakut që punonte prej 8 vitesh në këtë minierë. ©LAPSI.al