Protesta e banorëve në fshatin Grizë të cilët kundërshtojnë vendimin e Bashkisë Patos për të mbyllur shkollën si pasojë e dëmtimeve fizike vijon edhe sot. Prindërit së bashku me fëmijët me pankarta në duar nuk pranojnë që rreth 50 nxënësit të transferohen në një shkollë tjetër. Prindërit kanë marrë privatisht një inxhinier për të inspektuar dëmet, dhe kanë konfirmuar për Fax News se inxhinieri u kishte thënë se kjo godinë mund të riparohet dhe nuk përbën asnjë rrezik. Ata kërkojnë që të ballafaqohen me kryetaren e Bashkisë Rajmonda Balili për të cilën thonë se vjen vetëm për të marrë vota gjatë zgjedhjeve.
“Sot ne kemi marrë inxhinierin privat, i cili tha se shkolla nuk ka rrezik të shembet, godina mund të riparohet. Bashkia nuk ka sjellë inxhinier për ta parë godinën, ne do të vazhdojmë protestën. Ata të bashkisë vijnë çdo 4 vjet sa për të marrë vota, por ta harrojnë që ne do të tërhiqemi. Nuk na interesojnë librat, do të vazhdojmë kështu deri në fund të shtatorit apo tetorit. Fëmijët nuk do shkojnë në shkollë deri sa të na japin zgjidhje”, u shpreh një prind.