Pas njoftimit të ministres së Arsimit Evis Kushi për shtyrjen e nisjes së vitit shkollor ka reaguar Partia Demokratike. Deputetja e zgjedhur demokrate Oriola Pampuri shprehet se shtyrja e vitit shkollor dëshmon se Ministria e Arsimit ka dështuar me mësimin online dhe mësuesit ndihmës për familjet me fëmijët me aftësi te kufizuar.
Vendimi për shtyrjen e mësimit, sipas saj do të krijojë boshllëqe të tjera për nxënësit.
“Detyra e qeverisë ishte të bënte mësim plotësues gjatë verës, kur infektimet ishin të pakta. Ndërsa shtyrja e tanishme e mësimit do të ketë efekte zinxhir për mësimdhënien, për familjet, në kushtet e rritjes së kurbës së infektimeve në vjeshtë. Asnjë mësim nuk nxorën nga viti i shkuar, përkundrazi, vijojnë të veprojnë pa plan, duke lënë në mëshirë të fatit nxënësit dhe mësuesit”, thotë Pampuri.