
Gjykata Supreme e Mbretërisë së Bashkuar ka pranuar apelimin e shtetit shqiptar lidhur me ekstradimin drejt Shqipërisë të personave të dyshuar si pjesë e grupit që organizoi dhe mori pjesë në vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj, në Lezhë, në vitin 2023.
Në qendër të çështjes janë Edmond Haxhia, i dyshuar si organizator dhe porositës i atentatit, si dhe shtetasit britanikë Harry Simpson, Thomas Mithan, Steven Hunt dhe Harriet Bridgeman, të cilët dyshohet se kanë vëzhguar objektivin para vrasjes.
Pjesë e dosjes është edhe portugezi Ruben Saraiva, i dyshuar si ekzekutori i Nikulajt. Ai është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Lezhës.
Pas identifikimit të personave të dyshuar, autoritetet shqiptare kërkuan ekstradimin e tyre nga Britania e Madhe për veprat penale “vrasje për shkak të gjakmarrjes” dhe “prodhim dhe posedim i paligjshëm i armëve të zjarrit dhe municionit”.
Kërkesat u certifikuan nga Sekretari i Brendshëm britanik, por gjatë procedurës së ekstradimit pati një ngatërresë lidhur me akuzën për të cilën kërkohej ekstradimi. Në përfundim të seancës, kërkesa u konsiderua si e bazuar në akuzën për “vrasje me paramendim”, dhe jo për “vrasje për shkak të gjakmarrjes”.
Gjykata e Rrethit vendosi që çështja t’i dërgohej Sekretarit të Brendshëm për të vendosur mbi ekstradimin. Ky i fundit urdhëroi ekstradimin e personave drejt Shqipërisë.
Megjithatë, të dyshuarit apeluan vendimin, duke kundërshtuar procedurën e ndjekur për shkak të mospërputhjes mes kërkesave fillestare të Shqipërisë dhe urdhrave të mëvonshëm të ekstradimit. Gjykata e Lartë britanike pranoi argumentet e tyre dhe rrëzoi urdhrat e ekstradimit.
Përballë këtij vendimi, Shqipëria dhe Ministri i Brendshëm britanik apeluan në Gjykatën Supreme të Mbretërisë së Bashkuar.
Pas shqyrtimit paraprak të çështjes, Gjykata Supreme ka vendosur të pranojë apelimin dhe ta regjistrojë atë për shqyrtim. Vendimi i saj pritet të përcaktojë nëse procedurat e ndjekura deri më tani mund të çojnë përpara ekstradimin e personave të dyshuar drejt Shqipërisë./ TCh