
Sindikata e Universiteteve ka shprehur solidaritetin me studentët në protestë dhe ka dënuar përdorimin e dhunës nga forcat e rendit ndaj protestuesve. Në një deklaratë, sindikata u kërkon autoriteteve vetëpërmbajtje, respektimin e të drejtave themelore dhe garantimin e ushtrimit paqësor të së drejtës për protestë.
Sipas sindikatës, përshkallëzimi i situatës është pasojë e mungesës së reagimit dhe e neglizhimit të kërkesave qytetare nga qeveria dhe politika në tërësi. Ajo thekson se, edhe pas një proteste maratonë prej 135 ditësh, kërkesat e qytetarëve dhe studentëve nuk kanë marrë përgjigjen dhe vëmendjen e duhur.
“Mungesa e dialogut dhe e vullnetit për zgjidhje rrezikon të thellojë më tej mosbesimin ndaj institucioneve”, thuhet në deklaratë.
Duke iu referuar protestës para Ministrisë së Arsimit, sindikata shprehet se studentët iu drejtuan institucionit që duhet t’u shërbejë atyre. Ajo bën të ditur se edhe vetë i është drejtuar ministrisë me një shkresë zyrtare që në mars, por nuk ka marrë përgjigje.
“Heshtja që studentët hasën sot në rrugë është e njëjta heshtje që personeli akademik has prej muajsh në korrespondencën institucionale”, deklaron sindikata, duke e cilësuar situatën si shprehje të një marrëdhënieje të prishur mes institucionit dhe komunitetit që ai duhet t’i shërbejë.
Sindikata u bën thirrje pedagogëve, kërkuesve shkencorë, punonjësve të universiteteve dhe gjithë komunitetit akademik të qëndrojnë krah studentëve. Sipas saj, kërkesat për arsim cilësor, kushte dinjitoze studimi e pune dhe trajtim të drejtë të problemeve të arsimit të lartë përbëjnë një kauzë të përbashkët.
Në deklaratë kërkohet që qeveria dhe aktorët politikë të angazhohen menjëherë në një proces real dialogu për shqyrtimin dhe zgjidhjen e kërkesave të studentëve dhe personelit akademik.