
Prej më shumë se gjashtë orësh, qendra e Tiranës është përfshirë nga përplasje të dhunshme, ku ndërhyrja e policisë ndaj protestuesve është kthyer në një nga zhvillimet më shqetësuese të mbrëmjes. Studentë, protestues dhe qytetarë janë përballur me ndërhyrjet e forcave të rendit, ndërsa pamjet e personave të goditur dhe të marrë zvarrë nga efektivët kanë ngritur pikëpyetje serioze mbi përdorimin e forcës nga policia.

Protesta nisi rreth orës 14:00 përpara Ministrisë së Arsimit dhe për rreth një orë u zhvillua pa incidente. Situata u tensionua rreth orës 15:00, kur policia ndërhyri me shkopa gome, gaz lotsjellës dhe ujë me presion, pasi një grup protestuesish hodhën vezë, gurë, molotovë dhe sende të tjera në drejtim të godinës, ndërsa në mure u shkruan parulla kundër qeverisë.

Por përshkallëzimi i protestës u shoqërua edhe me ndërhyrjen e forcave të policisë, të cilat akuzohen se kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëmarrësve në tubim. Raportimet për studentë dhe qytetarë të goditur nga efektivët e zhvendosin vëmendjen edhe te mënyra se si policia ka menaxhuar protestën dhe nëse forca është përdorur vetëm ndaj personave të dhunshëm apo edhe ndaj atyre që nuk përbënin kërcënim.
Përplasjet vijuan gjatë mbrëmjes në Rrugën e Durrësit, ku një grup protestuesish dëmtuan prona publike dhe private, përfshirë bankomate. Në një prej incidenteve më të rënda, protestuesit hynë në ambientet e institucionit financiar “Iute Credit”, nxorën mobiliet në rrugë dhe u vunë flakën.

Bilanci i deritanishëm është 23 persona të arrestuar dhe 13 të lënduar, mes tyre gjashtë efektivë policie, dy gazetarë, tre protestues dhe dy kalimtarë të rastësishëm.
