
Bashkimi Evropian ka reaguar pas përshkallëzimit të protestës së studentëve në Tiranë. Ai ka shprehur shqetësim për aktet e dhunshme dhe pretendimet për përdorim të tepruar të forcës nga policia ndaj protestuesve dhe gazetarëve.
Delegacioni i BE-së tha se pret që veprimet e policisë të jenë proporcionale dhe të respektojnë të drejtat themelore. Zyra thekson se liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore evropiane, të cilat duhet të respektohen dhe të ushtrohen në mënyrë paqësore.
Zyra e BE: Ne shprehim shqetësim në lidhje me përshkallëzimin e dhunshëm të protestës në Tiranë. Liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore evropiane. Ato duhet të respektohen dhe të ushtrohen në mënyrë paqësore. Ne jemi në dijeni të pretendimeve për përdorim të tepruar të dhunës nga policia ndaj protestuesve dhe gazetarëve. Presim që veprimet e policisë të jenë proporcionale dhe të respektojnë të drejtat themelore, siç edhe presim që këto raste të hetohen me përparësi. Inkurajojmë të gjitha palët të ulin tensionet. Dialogu konstruktiv ndërmjet të gjithë aktorëve të përfshirë është e vetmja rrugë përpara.