Flash

Rama mbron projektet e “The Albanian Files”: Letra për “mbretin” ishte satirë

Lapsi.al 28 June 2026

Kryeministri Edi Rama reagoi këtë të diel ndaj debatit të krijuar rreth librit “The Albanian Files”, duke e cilësuar atë si një nga botimet më të rëndësishme të viteve të fundit në fushën e arkitekturës dhe zhvillimit urban në Europë, ndërsa akuzoi kritikët se po zhvillojnë një “inkuizicion revolucionar” ndaj autorëve të tij.

Sipas Ramës, libri përmbledh projektet, idetë dhe reflektimet e 60 arkitektëve dhe studiove me reputacion ndërkombëtar që kanë punuar në Shqipëri gjatë dy dekadave të fundit dhe është një projekt editorial i pavarur.

“Ky libër quhet ‘The Albanian Files’. Është një ndër botimet më të rëndësishme që kanë dalë në vitet e fundit në dritën e skenës së arkitekturës dhe zhvillimit urban në Europë dhe në botë”, tha Rama.

Reagimi i kryeministrit vjen pasi një nga tekstet më të komentuara të librit është letra satirike e arkitektit holandez Reinier de Graaf, partner i studios OMA të themeluar nga Rem Koolhaas. Në atë letër, të shkruar në mars 2025, De Graaf ironizonte marrëdhënien mes pushtetit dhe arkitekturës në Shqipëri, duke pyetur: “Në një botë autokratësh, a mund të kemi të paktën një autokrat dashamirës me shije?” dhe duke shtuar më tej se, “duke pasur parasysh statusin e qëndrueshëm të Shqipërisë si një mbështetëse e ndriçuar e arkitekturës, profesioni ynë do të përfitonte shumë nëse vendi nuk do të zhvillonte më kurrë zgjedhje dhe nëse ju, pas mandatit tuaj të pestë radhazi si kryeministër, thjesht do të vazhdonit si president i përjetshëm, ose ndoshta edhe si mbret”.

Këto pasazhe kanë nxitur debat publik, ndërsa kritikët i kanë parë si një glorifikim të përqendrimit të pushtetit.

Rama u përpoq ta relativizonte këtë interpretim, duke argumentuar se letra nuk është një thirrje politike, por një tekst autoironik, tipik për stilin e autorit.

“E para, që ky tekst i vënë aty, i cili në mënyrë autoironike është një letër drejtuar meje… më thotë: ‘Pse duhet të bëhen dhe zgjedhje? Ti mund të bëhesh mbret dhe të bësh atë që bënin mbretëritë për arkitekturën…’. Çështje dilemash dhe problematikash që s’kanë lidhje fare me ndonjë thirrje reale për t’u bërë mbret, është kthyer kokëposhtë”, deklaroi ai.

Sipas kryeministrit, letra është pjesë e dosjes personale të Reinier de Graaf dhe ai nuk ishte ne dijeni.

“Të gjithë autorët kanë pasur pavarësi të plotë në dosjen e tyre. Kanë zgjedhur vetë projektet, kanë vënë vetë tekstet, kanë caktuar reflektimet dhe materialet që kanë dashur të publikojnë”, tha Rama, duke shtuar se, nëse libri do të ishte një botim propagandistik ose i kontrolluar politikisht, “ky tekst nuk do të mbetej aty, mbase”.

Debati rreth “The Albanian Files” nuk lidhet vetëm me letrën e De Graaf. Vetë libri paraqet një panoramë të gjerë të dhjetëra masterplaneve dhe projekteve arkitekturore të planifikuara ose në zhvillim në Shqipëri, shumë prej tyre në afërsi të zonave të mbrojtura, lagunave, dunave bregdetare dhe parqeve kombëtare.

Mes projekteve të përfshira janë masterplane për Divjakë-Karavastan, Orikumin, Pishë Poron, Zvërnecin, deltën e Vjosës, Krorëzin, Ksamilin, Butrintin, Rrjollin, Ranën e Hedhun, Talen dhe Drilonin.

Ekspertët e mjedisit kanë ngritur shqetësime se një pjesë e këtyre zhvillimeve mund të cenojnë ekosisteme të mbrojtura dhe kërkojnë pezullimin e projekteve derisa të kryhen vlerësime të thelluara të ndikimit në mjedis dhe të rishikohen ndryshimet ligjore të vitit 2024 për zonat e mbrojtura.

Të këshilluara

ide

MOTI TIRANA

36°c

KËMBIMI EURO

94.21

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI