
Kuvendi mblidhet sot në orën 10:00, në një ditë që zhvillohet në sfondin e protestave të dy ditëve të fundit në kryeqytet dhe tensioneve të regjistruara pranë disa institucioneve. Një ditë më parë, tubimet u zhvendosën pranë Kryeministrisë, Kuvendit, Gjykatës Kushtetuese, disa ministrive dhe Bankës së Shqipërisë. Te godina e Kryesisë së Kuvendit pati dëmtime në hyrje dhe në disa xhama.
Në këtë klimë, seanca e sotme parashikon katër interpelanca. PD ka thirrur ministrin e Brendshëm, Ervin Demo, për reagimin e policisë gjatë protestave. Në rend dite janë edhe interpelanca me ministrin e Infrastrukturës, Enea Karakaçi, për autostradën Milot–Balldre dhe termocentralet lundruese në Vlorë, si dhe me ministrin e Financave, Petrit Malaj, për masat ndaj rritjes së çmimeve. Kuvendi do të shqyrtojë gjithashtu gjashtë projektligje dhe ngritjen e Komisionit të Posaçëm për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale, i cili do të merret me rishikimin e kompetencave të bashkive.