
Reforma territoriale e qeverisë Rama përballet me kritika nga Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës. Raporti monitorues i datës 7 tetor 2026 ngre shqetësime për konsultimin me qytetarët, centralizimin e kompetencave dhe financimin e pamjaftueshëm të bashkive.
Një nga vërejtjet kryesore lidhet me mënyrën se si po zhvillohet konsultimi për ndryshimin e kufijve administrativë:
“Procedura e konsultimit për ndryshimet e propozuara të kufijve administrativë vendorë u iniciua në një fazë mjaft të avancuar të procesit të reformës dhe nuk duket se ka garantuar pjesëmarrjen kuptimplotë dhe në kohën e duhur të banorëve të komuniteteve të prekura në procesin e vendimmarrjes, në përputhje me frymën e nenit 5 të Kartës”.
Raportuesit theksojnë se dëgjimi i qytetarëve duhet të ketë ndikim real në vendimmarrje:
“Raportuesit theksojnë se, që konsultimi të jetë kuptimplotë dhe jo thjesht formal apo simbolik, ai duhet të zhvillohet përpara dhe jo në përfundim të procesit të vendimmarrjes, si dhe duhet të jetë efektiv”.
Në këtë drejtim, përfundimi është se “situata në Shqipëri është pjesërisht në përputhje me nenin 5 të Kartës”.
Neni 5 i Kartës Europiane të Autonomisë Vendore kërkon që kufijtë e bashkive të mos ndryshohen pa konsultuar paraprakisht komunitetet e prekura. Konsultimi mund të bëhet edhe përmes referendumit, kur ligji e lejon, por referendumi nuk është domosdoshmërisht i detyrueshëm. Sipas raportit, qytetarët duhet të dëgjohen në kohë, kur mendimet e tyre mund të ndikojnë ende në vendimin përfundimtar.
Kritikat e Këshillit të Europës shtrihen edhe te kompetencat dhe burimet që u lihen bashkive. Kongresi konstaton:
“Ekziston një prirje drejt centralizimit të kompetencave, ku autoritetet vendore kryejnë kryesisht funksione mbështetëse në ofrimin e shërbimeve publike vendore thelbësore”.
Ndërsa për financimet, raporti vëren se nuk janë të mjaftueshme:
“Burimet financiare që u alokohen autoriteteve vendore nuk janë në përpjesëtim me përgjegjësitë e tyre, duke i detyruar ato të plotësojnë financimin e pamjaftueshëm me burimet e tyre, të cilat shpesh janë të pamjaftueshme”.
Duke njohur objektivin e deklaruar të qeverisë për decentralizim dhe modernizim, Kongresi kërkon që reforma të zbatohet mbi parimet e subsidiaritetit dhe decentralizimit. Ai kërkon gjithashtu konsultim efektiv përpara vendimeve përfundimtare, më shumë autonomi vendimmarrëse dhe financim në përpjesëtim me detyrat e bashkive. /Lapsi.al
