
Çmimi i naftës ra të enjten, ndërsa rimëkëmbja e eksporteve nga Gjiri Persik dhe rritja e rezervave amerikane zbutën shqetësimet për furnizimet. Investitorët po ndjekin gjithashtu përpjekjet diplomatike mes SHBA-së dhe Iranit për t’i dhënë fund konfliktit, raporton Reuters. Nafta Brent ra 1.1%, në 96.92 dollarë për fuçi, ndërsa West Texas Intermediate (WTI) humbi 1.4%, duke zbritur në 89.18 dollarë.
Presioni mbi çmimet vjen nga përmirësimi i furnizimeve në Gjirin Persik. Arabia Saudite ka rifilluar ngarkimin e tankerëve nga Yanbu, pas rikthimit në funksion të tubacionit Lindje-Perëndim. Sipas Goldman Sachs, eksportet nga vendet e Gjirit janë rikuperuar në rreth 23.3 milionë fuçi në ditë, afërsisht në nivelin mesatar të vitit 2025.
Në SHBA, rezervat e naftës bruto u rritën me 922 mijë fuçi, shumë më tepër se pritshmëritë e tregut. Ndërkohë, rifillimi i kontakteve diplomatike mes Uashingtonit dhe Teheranit mund të zbusë më tej shqetësimet gjeopolitike. Irani deklaroi se ka marrë përgjigjen amerikane ndaj propozimit të tij për rikthimin e armëpushimit në Gjirin Persik. Shtatë vende kryesore të OPEC+ pritet të mbajnë të pandryshuara objektivat e prodhimit për nëntorin, megjithëse ende nuk është marrë një vendim përfundimtar.