
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka sekuestruar 2.6 milionë euro në llogari bankare, si dhe një automjet luksoz tip “Bentley”, në kuadër të hetimeve për falsifikimin e dokumenteve dhe pastrimin e produkteve të veprës penale. Pasuritë i përkasin shtetasit Kastriot Hasko i cili aktualisht ndodhet nën masën e sigurimit “Arrest në shtëpi”. Sipas Prokurorisë, dyshohet se përmes vendimeve të falsifikuara ai ka arritur të regjistrojë sipërfaqe të konsiderueshme toke.
Në vijim të hetimeve, janë sekuestruar:
2,610,195 euro
1,865,076 lekë
7,515 dollarë amerikanë
Një automjet “Bentley Flying Spur”, i vitit 2024, me vlerë të deklaruar blerjeje 250 mijë euro.
Sipas organit të akuzës, këto pasuri dyshohet se janë produkte të veprave penale që janë objekt i hetimit. Kastriot Hasko është nën hetim për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, të parashikuara përkatësisht nga nenet 186/2 dhe 287 të Kodit Penal. Prokuroria e Fierit deklaron se do të vijojë hetimet për identifikimin, sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive që dyshohet se kanë prejardhje nga veprimtari kriminale.