Për të dytën ditë radhazi, protesta e studentëve dhe qytetarëve në Tiranë u shndërrua në një përballje të dhunshme me policinë, ndërsa Ministria e Arsimit u përfshi nga flakët, xhamat e godinës u thyen dhe kangjellat mbrojtëse u shkatërruan.
Tensionet këtë të mërkurë nisën që në orët e paradites kur gjimnazistët e shkollës "Partizani" në Tiranë bojkotuan mësimin duke iu bashkuar studentëve.
Protesta nisi më herët sesa ishte paralajmëruar, edhe pas bojkotimit të mësimit në disa fakultete të Universitetit të Tiranës, Universitetit të Mjekësisë dhe Universitetit Politeknik.
Bojkoti u shtri edhe jashtë kryeqytetit, ku studentë të Universitetit të Shkodrës refuzuan të hynin në auditorë në shenjë solidariteti me protestuesit në Tiranë.
Situata u përshkallëzua shpejt përpara Ministrisë së Arsimit. Grupe protestuesish, disa prej tyre me fytyra të mbuluara, goditën godinën me gurë dhe sende të forta, shkulën kangjellat e trotuareve dhe thyen xhamat e institucionit. Më pas, drejt ndërtesës u hodhën bomba molotov dhe lëndë piroteknike, duke shkaktuar flakë dhe tym të zi.
Përplasjet vijuan edhe pas ndërhyrjeve të policisë, e cila përdori ujë me presion dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën. Protestuesit u tërhoqën përkohësisht, por u rikthyen përpara ministrisë me thirrje kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.
Dita e dytë e protestës erdhi pas ngjarjeve të rënda të 13 tetorit, kur përplasjet zgjatën për më shumë se tetë orë dhe u shoqëruan me dhunë policore, dëmtime të pronës publike e private dhe dhjetëra të lënduar. Rasti më i rëndë ishte ai i një 19-vjeçari me këmbë të thyer, për të cilin nisën hetimet. Policia pezulloi nga detyra katër efektivë dhe një drejtues policor. Pas protestës së parë, sipas njoftimit të Policisë së Tiranës, u arrestuan 16 persona dhe u proceduan penalisht 49 të tjerë.
Përshkallëzimi i dhunës dhe sidomos pamjet e ndërhyrjeve policore sollën këtë të mërkurë edhe reagimin e Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë. Përfaqësia diplomatike shprehu shqetësim për situatën dhe kërkoi që policia të respektojë të drejtat themelore të qytetarëve, duke theksuar se pretendimet për përdorim të tepruar të forcës ndaj protestuesve dhe gazetarëve duhet të hetohen me përparësi.
“Liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore evropiane. Ato duhet të respektohen dhe të ushtrohen në mënyrë paqësore”, thuhet në deklaratën e Delegacionit të BE-së.
“Presim që veprimet e policisë të jenë proporcionale dhe të respektojnë të drejtat themelore, siç edhe presim që këto raste të hetohen me përparësi”, theksoi më tej përfaqësia europiane, duke u bërë thirrje të gjitha palëve të ulin tensionet.
Qëndrimit të Brukselit iu bashkua edhe Ambasada Gjermane në Tiranë, e cila shpërndau deklaratën e Delegacionit të BE-së, duke mbështetur kërkesën për respektimin e të drejtës së protestës dhe hetimin e pretendimeve për dhunë policore.

Protesta, e cila nisi me pakënaqësitë për kushtet në universitete, kostot e studimeve dhe mungesën e perspektivës për të rinjtë, tashmë ka marrë karakter të hapur politik. Krahas kërkesave për ndryshime në arsim, protestuesit kërkojnë largimin e qeverisë Rama, ndërsa në shënjestër të thirrjeve të tyre janë vendosur edhe përfaqësues të opozitës.
Pas dy ditësh përplasjesh, në Tiranë ka një situatë të tensionuar megjithatë shumë qytetarë iu janë bashkuar studentëve pavarësisht dhunës së ashpër nga policia. Më poshtë janë disa nga momentet kryesore të protestës së sotme të fiksuar nga objektivi i LSA.



































