Flash

Intriga e Edi Ramës mes SHBA dhe BE/ A janë ende të mbrojtur ushtarakët amerikanë në Shqipëri?

Në kulmin e përplasjes së administratës Trump me Gjykatën Penale Ndërkombëtare, qeveria shqiptare ka shfuqizuar në heshtje marrëveshjen që mbronte ushtarakët amerikanë nga dorëzimi në Hagë. Por një manovër e pazakontë me botimin e ligjit në Fletoren Zyrtare ngre dyshime se Edi Rama po përpiqet të kënaqë Brukselin pa zemëruar Uashingtonin.

Lapsi.al 12 October 2026

Intriga e Edi Ramës mes SHBA dhe BE/ A janë ende të mbrojtur

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, shpalli të premten një paketë të paprecedentë sanksionesh kundër Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC), duke e vendosur administratën e Donald Trump në një përplasje të drejtpërdrejtë me Bashkimin Europian. Vendimi i Uashingtonit synon të paralizojë financiarisht gjykatën me seli në Hagë, të cilën amerikanët e akuzojnë se po përpiqet të ushtrojë juridiksion mbi shtetasit dhe ushtarakët e tyre, megjithëse SHBA nuk e njeh autoritetin e saj.

“Presidenti Trump nuk do ta lejojë kurrë Gjykatën Penale Ndërkombëtare të ndjekë penalisht amerikanët”, deklaroi Rubio, duke shpjeguar më tej vendimin: “Për këtë arsye, sot Shtetet e Bashkuara po vendosin sanksione ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare. Ne do të ndalojmë transaksionet me këtë gjykatë të paligjshme, duke i ndërprerë burimet dhe duke paralizuar aftësinë e saj për të vepruar”.

Sanksionet, të cilat parashikojnë një periudhë tranzitore gjashtëmujore dhe disa përjashtime, mund të godasin bankat, kompanitë e sigurimeve dhe ofruesit e shërbimeve teknologjike që bashkëpunojnë me ICC. Administrata Trump e ka kundërshtuar prej kohësh këtë gjykatë, veçanërisht pas urdhërarresteve kundër kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe hetimeve për krime të dyshuara të ushtarakëve amerikanë në Afganistan.

Nga ana tjetër, Bashkimi Europian e konsideron ICC një institucion themelor të drejtësisë ndërkombëtare. Shefja e diplomacisë europiane, Kaja Kallas, paralajmëroi se BE ka instrumente për të garantuar vazhdimin e punës së gjykatës, ndërsa Belgjika kërkoi aktivizimin e mekanizmave europianë për ta mbrojtur nga sanksionet amerikane. 

Por pikërisht në kulmin e kësaj përplasjeje ndërmjet Uashingtonit dhe Brukselit, në Shqipëri ka ndodhur një zhvillim që e vendos qeverinë e Edi Ramës në një pozitë të pazakontë, siç raportoi më herët vna.al. Pa asnjë debat publik dhe pothuajse në fshehtësi të plotë, Kuvendi shqiptar ka miratuar shfuqizimin e marrëveshjes së vitit 2003 me Shtetet e Bashkuara, e cila garantonte se ushtarakët dhe personat e tjerë amerikanë të mbuluar prej saj nuk mund të dorëzoheshin në Gjykatën Penale Ndërkombëtare pa pëlqimin e Uashingtonit.

Marrëveshja ishte nënshkruar më 2 maj 2003 në Tiranë, gjatë vizitës së sekretarit amerikan të Shtetit, Colin Poëell, nga ky i fundit dhe kryeministri i atëhershëm Fatos Nano. Ajo u ratifikua me ligjin nr. 9081, datë 19 qershor 2003, dhe hyri në fuqi më 7 korrik të atij viti. E njohur si marrëveshja e nenit 98 të Statutit të Romës, ajo krijonte një garanci juridike për personat amerikanë të përfshirë në të: Shqipëria nuk mund t’i dorëzonte në ICC pa miratimin paraprak të Shteteve të Bashkuara.

Për 23 vjet, kjo marrëveshje ka qenë një nga pikat e mospajtimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Brukseli ka kërkuar vazhdimisht shfuqizimin e saj, duke argumentuar se marrëveshjet që përjashtojnë kategori të caktuara shtetasish nga dorëzimi në ICC bien ndesh me qëndrimin e përbashkët europian për integritetin e Statutit të Romës. Komisioni Europian e ka evidentuar këtë problem në raportet e progresit për Shqipërinë, përfshirë raportin e vitit 2024. Në kushtet kur Tirana po përpiqet të përshpejtojë negociatat e anëtarësimit, heqja e kësaj marrëveshjeje është pjesë e përafrimit të kërkuar me qëndrimin e BE-së. 

Deri këtu, vendimi i qeverisë shqiptare mund të shpjegohet me detyrimet e integrimit europian. Problemi fillon te mënyra se si Edi Rama ka zgjedhur ta realizojë atë.

Intriga e Edi Ramës mes SHBA dhe BE/ A janë ende të mbrojtur

Më 17 shtator 2026, Kuvendi shqiptar shfuqizimin e marrëveshjes së ratifikuar me ligjin nr. 9081/2003. Procesverbali zyrtar i seancës parlamentare tregon se kërkesa u paraqit nga kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe u hodh në votim nga kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi. Rezultati ishte 83 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Në procesverbal, Peleshi njofton se është depozituar kërkesa për shtimin në rendin e ditës të projektligjit “Për një ndryshim në marrëveshjen e ratifikuar me ligjin nr. 9081/2003”. Pas votimit, që mori 84 vota ai deklaroi: “Miratohet kërkesa. Kalojmë në shqyrtimin e projektligjit”.

Megjithatë, një vendim me pasoja të drejtpërdrejta në marrëdhëniet me aleatin kryesor strategjik të Shqipërisë kaloi pa një diskutim të posaçëm publik për efektet e tij politike dhe juridike.

Më 22 shtator, Presidenti Bajram Begaj firmosi dekretin nr. 505, për shpalljen e ligjit nr. 97/2026. Dekreti u botua në Fletoren Zyrtare nr. 214 të vitit 2026. Por dokumenti i botuar përmban vetëm formulimin e përgjithshëm: “Shpalljen e ligjit nr. 97/2026”. Në faqen e dekretit nuk përmendet titulli i ligjit, nuk shpjegohet se çfarë shfuqizon dhe nuk jepet asnjë e dhënë për marrëveshjen me Shtetet e Bashkuara.

Intriga e Edi Ramës mes SHBA dhe BE/ A janë ende të mbrojtur

Edhe më problematik është fakti se, sipas verifikimeve të publikuara fillimisht nga VNA.al më 7 tetor, vetë teksti i ligjit nuk ishte identifikuar në botimet publike të Qendrës së Botimeve Zyrtare. Pra, ndërsa dekreti presidencial që shpall ligjin është publikuar, botimi i ligjit që përmban shfuqizimin nuk është dokumentuar ende. 

Kjo në shikim të parë mund të duket si një hollësi burokratike, por në fakt është një dredhi për të kënaqur Brukselin dhe për të mos zemëruar Uashingtonin. Sipas Kushtetutës, ligjet hyjnë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare, ndërsa ligji nr. 97/2026, sipas tekstit të raportuar, parashikon hyrjen në fuqi 15 ditë pas botimit. Nëse vetë ligji nuk është botuar, dekreti presidencial nuk mjafton për ta bërë atë të zbatueshëm. Për më tepër, përfundimi i një marrëveshjeje ndërkombëtare kërkon të shqyrtohen edhe dispozitat e saj për njoftimin e palës tjetër dhe momentin kur pushon së prodhuari efekte.

Pikërisht këtu lind dyshimi për një manovër politike të Edi Ramës. Kryeministri gjendet mes dy kërkesave të papajtueshme: Bashkimi Europian i kërkon të heqë marrëveshjen që u jep amerikanëve mbrojtje të posaçme nga juridiksioni i ICC, ndërsa administrata Trump po vendos sanksione të paprecedenta për të mbrojtur pikërisht amerikanët nga kjo gjykatë.

Në këtë situatë, qeveria shqiptare ka miratuar ligjin që kërkon Brukseli, por nuk ka dhënë një shpjegim publik për pasojat që vendimi sjell në marrëdhëniet me Uashingtonin. Mospublikimi i verifikuar i tekstit të ligjit krijon një paqartësi shtesë, që ngre pyetjen nëse vonesa është thjesht një problem administrativ apo një mënyrë për të shtyrë efektet juridike të një vendimi politikisht të sikletshëm.

Kjo është edhe hipoteza që burime të Lapsi.al pranë Kuvendit dhe Kryeministrisë e lidhin me përpjekjen e Ramës për të administruar njëkohësisht presionin europian dhe marrëdhënien me administratën Trump.

Mbetet kësisoj e paqartë: Nëse sot një ushtarak amerikan, i kërkuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare, ndodhet në territorin shqiptar, a është Shqipëria e detyruar të kërkojë miratimin e Uashingtonit përpara dorëzimit të tij në Hagë?

Përgjigjia varet nga statusi juridik i marrëveshjes së vitit 2003. Nëse shfuqizimi ka hyrë në fuqi dhe marrëveshja ndërkombëtare ka përfunduar sipas procedurave përkatëse, mbrojtja e posaçme që ajo u garantonte amerikanëve nuk ekziston më.

Nëse, përkundrazi, ligji nuk ka hyrë ende në fuqi ose marrëveshja ndërkombëtare vazhdon të prodhojë efekte, situata është tjetër. Miratimi parlamentar dhe dekreti presidencial nuk mjaftojnë, të vetëm, për të përcaktuar se kur përfundon detyrimi ndërkombëtar i Shqipërisë ndaj SHBA-së.

Ironia është se Shqipëria po përpiqet të plotësojë një kërkesë të Bashkimit Europian në të njëjtën kohë kur administrata Trump e ka kthyer mbrojtjen e shtetasve amerikanë nga ICC në një çështje të rëndësishme të politikës së saj të jashtme. Rubio paralajmëroi të premten se sanksionet mund të ndryshojnë nëse gjykata dhe shtetet anëtare adresojnë shqetësimet amerikane. Nga ana tjetër, ICC reagoi duke i cilësuar masat një sulm ndaj shtetit të së drejtës dhe duke kërkuar mbështetjen e 125 vendeve anëtare. 

Në këtë përplasje, Edi Rama ka zgjedhur të mos japë shpjegime. Një marrëveshje e firmosur publikisht në Tiranë nga Colin Poëell dhe Fatos Nano, në një moment të rëndësishëm të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, po hiqet pas 23 vjetësh pa transparencën që do të kërkonte pesha e saj.

Në përpjekje për të mos zgjedhur publikisht mes Uashingtonit dhe Brukselit, Rama ka krijuar një situatë ku Kuvendi ka miratuar një ligj, Presidenti e ka shpallur, por mbetet e paqartë nëse ai ka hyrë në fuqi dhe nëse marrëveshja me amerikanët ka përfunduar juridikisht.

Ajo që Edi Rama përpiqet ta shesë si diplomaci të zgjuar, ku për të shpëtuar veten nga një zgjedhje e vështirë kryen një dredhi provinciale për të shmangur përgjegjësinë para aleatëve të huaj./Lapsi.al

Të këshilluara

Tek parku Rinia, një tjetër kullë që rivret qytetin

Lubonja: “Mund të konsiderohet si kulm në kuptimin e shkatërrimit urbanistik të qytetit, që përkon edhe me një kulm në kuptimin psikologjik të delirit të omnipotencës së Edi Ramës, me një kulm të babëzisë së oligarkëve që do të përfshihen aty dhe me një kulm të paturpësisë para qytetarëve të Tiranës të arkitektëve të Albanian Files,”

11:25 Blerina Gjoka

ide

Një vjeshtë me atmosferë fund regjimi

Qoftë zarat e partisë së vet që i hedhin vickla, qoftë qytetarët që e fishkëllejnë në rrugë, qoftë prokurorët e trimëruar të SPAK që janë afuar në oborrin e tij apo gazetarët ndërkombëtarë që e barabisin me kumbarin tregojnë një gjë, se kurba politike e Edi Ramës ka prekur fundin. Rrëfimi i propagandës së tij tashmë ka mbaruar.

16:19 Andi Bushati

Keqkuptimi kryeministror mbi anti-korrupsionin

Fakti që asnjë institucion i administratës sonë publike nuk vuri re se u investuan miliona euro në inceneratorë fantazëm, se AKSHI kontrollohej nga një kriminel ordiner, se drejtorët e Bashkisë së Tiranës ia jepnin tenderat vetes, apo se drejtori i policisë dhe drejtoresha e SHISH punonin për Gysin, tregon se nuk kemi administratë publike dhe shtet

09:35 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

18°c

KËMBIMI EURO

91.61

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI