
Prej disa kohësh, rruga e plazhit në Dhërmi përballet me trafik të rënduar. Qindra automjete mbeten të bllokuara, ndërsa në disa raste pritja ka kaluar edhe një orë e gjysmë.
Problemi nuk lidhet vetëm me fluksin e lartë të pushuesve. Makinat e parkuara në të dyja anët e rrugës kanë ngushtuar ndjeshëm hapësirën e kalimit. Në disa segmente, dy automjete nuk mund të kalojnë njëkohësisht dhe mjafton një lëvizje në drejtim të kundërt që qarkullimi të ndalet plotësisht.
Pavarësisht situatës, nuk ka ndërhyrje të dukshme për largimin e mjeteve që bllokojnë rrugën apo për organizimin e qarkullimit. Pushuesit ankohen se trafiku mund të qëndrojë i ngrirë për më shumë se 90 minuta.
Sipas denoncimeve nga zona, situata ndryshon vetëm kur në këtë segment duhet të kalojnë personalitete apo eskortat e tyre. Qytetarët sjellin si shembull edhe rastet kur në Dhërmi ndodhet kryeministri Edi Rama, kur rruga lirohet dhe qarkullimi menaxhohet me shpejtësi. Për pjesën tjetër, pritja vazhdon mes makinave të parkuara dhe kolonave që nuk lëvizin.
Dhërmiu nuk është rasti i vetëm. Më 9 gusht, mijëra automjete krijuan radhë kilometrike nga Tuneli i Llogarasë drejt Orikumit dhe Vlorës. Fluksi vinte kryesisht nga Palasa, Drimadhesi, Dhërmiu, Jala dhe Himara, ndërsa në disa segmente qarkullimi zhvillohej me ritme tepër të ngadalta.
Por në rrugën e plazhit të Dhërmiut, fluksi i gushtit përplaset edhe me një problem të vjetër të infrastrukturës dhe menaxhimit. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar më herët problematika me rrugët pranë plazhit të Dhërmiut, duke përmendur trafikun dhe vështirësitë në ofrimin e shërbimeve si shqetësime të zonës.
Në kulmin e sezonit turistik, një nga destinacionet më të frekuentuara të jugut mbetet kështu peng i një rruge të mbushur me makina. Turistët arrijnë në Dhërmi, por për të mbërritur deri në plazh mund t’u duhet më shumë kohë sesa për një pjesë të udhëtimit drejt jugut.