Flash

Albin Kurti: Jemi në komunikim të vazhdueshëm me KFOR-in për hapjen e plotë të urës mbi Ibër

Lapsi.al 22 August 2026

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti tha se institucionet e vendit janë në komunikim të vazhdueshëm me KFOR-in për hapjen e plotë të urës kryesore mbi lumin Ibër dhe “marrjen tërësisht nën kontroll” të saj nga Policia e Kosovës.

“Jemi në komunikim të përditshëm, qoftë Kryeministria, qoftë Ministria e Punëve të Brendshme, në mënyrë që gjithçka të shkojë në mënyrë të qetë dhe paqësore”, tha Kurti, gjatë një konference për media më 22 gusht, kur u pyet se kur pritet të hapet ura kryesore në Mitrovicë.

Ai tha se pasditen e së shtunës do të ketë një takim me komandantin e KFOR-it, Ozgan Ulutash, teksa e cilësoi si “absurde” që ura të vazhdojë të jetë e mbyllur.

“Duhet të përkujtojmë që pas ndërtimit të urave të reja është bërë absurde që ajo urë të mbahet e mbyllur dhe fakti që qytetarët kanë qarkulluar lirshëm nëpër këto urat e reja dhe nuk ka shtim as të incidenteve as të tensioneve, tregon që qarkullimi i njerëzve dhe mallrave, liria gjithnjë më e madhe e lëvizjes është e dobishme jo vetëm për ekonominë, por edhe për paqen dhe sigurinë”, theksoi Kurti.

Ura kryesore mbi Ibër është e hapur për këmbësorë, por jo edhe për qarkullimin e automjeteve. Që nga përfundimi i luftës, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, e ka mbajtur nën mbikëqyrje urën, e cila ndër vite ka qenë pikë e përplasjeve ndëretnike. Megjithatë, së voni KFOR-i ka njoftuar për nisjen e tërheqjes graduale nga ura, pas përmirësimit të situatës së sigurisë, gjë që ka zemëruar Serbinë.

Komentet e Kurtit vijnë pasi një zyrtar i NATO-s i tha më 20 gusht Radios Evropa e Lirë se çdo vendim për rihapjen e mundshme e kësaj ure për qarkullimin e veturave, duhet të “adresojë nevojat e të gjitha komuniteteve lokale”.

“KFOR-i po ashtu vazhdon të ofrojë mbështetjen e nevojshme të sigurisë në mënyrë që përpjekjet diplomatike të Bashkimit Europian të mund të lëvizin përpara”, tha zyrtari i NATO-s.

Serbia ka kundërshtuar planet e KFOR-it për reduktimin e pranisë mbi këtë urë. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, i është drejtuar me një letër shefit të NATO-s, Mark Rutte, duke i kërkuar që ky proces të ndalet.

“Sapo i dërgova një letër sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, dhe kërkova që KFOR-i, në përputhje me Rezolutën 1244 të OKB-së, të ndalë terrorin ndaj serbëve, përndjekjen dhe arrestimet e tyre, rrënimin e shtëpive, si dhe hapjen e urës mbi Ibër”, shkroi Vuçiç në Instagram më 20 gusht.

Sipas Vuçiëit, tërheqja e KFOR-it nga ura në këtë moment do të “krijonte kushte për një përballje përfundimtare me popullsinë serbe” në veri të Kosovës.

Por, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha e përpjekjet e Serbisë për ta paraqitur optimin e pranisë së KFOR-it si “kërcënim për komunitetin serb” apo si dëshmi se situata në Kosovë është e paqëndrueshme, “nuk përputhen me realitetin në terren”.

Ai e akuzoi Serbinë se po përpiqet të zhvendos vëmendjen lidhur me gjetjen e varrezave masive në veriun e Kosovës, zbulimin e armatimit afër lokacioneve ku u gjetën mbetje mortore dhe veprimeve të Kosovës kundër rrjeteve të dyshuara të inteligjencës së Serbisë dhe aktiviteteve subersive kundër Kosovës.

“Ky është një proces [procesi i optimizimit të KFOR-it] i bazuar në vlerësime profesionale të situatës në terren dhe nuk paraqet zvogëlim të sigurisë për asnjë qytetar apo komunitet në Kosovë”, tha Maqedonci.

Tërheqja graduale e trupave të NATO-s nga ura është pjesë e procesit të optimizimit të pozicionimit të KFOR-it, i cili po zhvillohet me transparencë të plotë, tha zyrtari i aleancës, duke shtuar se ky proces mund të zhbëhet, varësisht nga situata e sigurisë.

“KFOR-i do të ketë prani të dukshme në Mitrovicë të Veriut dhe të Jugut si dhe në veriun e Kosovës dhe vazhdon të kontribuojë që të ketë mjedis të sigurt për të gjithë”, tha zyrtari i NATO-s në një përgjigje për REL-in.

Qeveria e Kosovës kishte paralajmëruar në korrik të vitit 2024 hapjen e urës kryesore mbi Ibër edhe për qarkullimin e automjeteve, një nismë që shkaktoi tensione dhe reagime nga bashkësia ndërkombëtare.

Ndërkohë, ekzekutivi kosovar ka ndërtuar edhe dy ura të tjera pranë urës kryesore – një për këmbësorë dhe një për automjete – me synimin për të lidhur Mitrovicën e Veriut me Mitrovicën e Jugut. Ura kryesore mbi lumin Ibër konsiderohet një nga pikat më të ndjeshme në aspektin e sigurisë në veri të Kosovës./REL

Të këshilluara

ide

Plaku me bastun, si antimodeli ndaj një pushteti të shurdhët

Ndarja e re teritoriale përpos problemeve të diskutueshme me pakësimin e bashkive po vërteton se kjo qeverisje e degraduar nuk ka më as vullnet as nerva për të dëgjuar qytetarët. Prandaj rruga e vetme e komunikimit me të mbetet ajo e ngritjes së shkopit

16:34 Andi Bushati

Një monument i shëmtuar i autoritarizmit politik

Në vend që të kujdesen për godint që kërcënojnë qytetarët estetikisht dhe fizikisht, Kryeministri dhe Bashkia e tij në Durrës rendin të hedhin miliona euro për të ndërtuar mure betoni që fshehin detin dhe shëmtojnë qytetin

10:47 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

33°c

KËMBIMI EURO

92.53

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Euro kap një minimum të ri

Kursi i këmbimit Euro-Lek e ka mbyllur edhe këtë javë në rënie, duke shënuar një rekord të ri historik. Sipas kurs...

15:29

Me sytë katër

PAPARAZZI