Flash

“Pingpongu” institucional në Mal të Zi ngadalëson rrugën evropiane

Lapsi.al 7 February 2026
“Pingpongu” institucional në Mal të Zi ngadalëson

“Pingpongu” politik i kthimit të ligjeve mes presidentit të Malit të Zi, Jakov Millatoviq, dhe Kuvendit po e ngadalëson edhe më tej rrugën evropiane të këtij vendi.

Kjo ndodh në kohën kur Mali i Zi, edhe pa këto përplasje institucionale, ka nisur të shfaqë shenja ngecjeje në përmbushjen e detyrimeve në disa fusha të rëndësishme për integrimin evropian.

Më 3 shkurt, Millatoviq ia ktheu Kuvendit një paketë ligjesh për rishqyrtim, duke u arsyetuar se dëshiron që deputetët t’i lexojnë dhe shqyrtojnë me seriozitet ato.

“Reformat evropiane nuk nënkuptojnë thjesht ngritje dore në Kuvend, as miratim ligjesh pa debat dhe diskutim”, shkroi presidenti malazez në rrjetet sociale.

Bëhet fjalë për një paketë prej 25 ligjesh që tashmë kanë marrë dritën e gjelbër nga Komisioni Evropian dhe që janë të domosdoshme për Malin e Zi për të vazhduar mbylljen e kapitujve në negociatat e anëtarësimit në BE.

Dy ditë më vonë, Millatoviq ndryshoi qëndrim dhe i shpalli ligjet në fuqi.

Ai tha se kthimi i tyre në Kuvend, me pritjen që deputetët t’i lexonin dhe t’i shqyrtonin seriozisht, sipas vlerësimit të tij, nuk do të kishte asnjë efekt praktik.

Kjo paketë ligjesh, e njohur në zhargonin politik si “ligjet blu”, e kishte miratimin e Brukselit dhe Komisioni Evropian konfirmoi se ishte në dijeni për vendimin e presidentit të Malit të Zi për t’i shpallur ligjet.

“Ne konfirmojmë mbështetjen tonë të vazhdueshme për synimin ambicioz të Malit të Zi që t’i mbyllë të gjithë kapitujt e mbetur të negociatave deri në fund të vitit, me kusht që të përmbushen plotësisht të gjitha kushtet e nevojshme”, deklaroi zëdhënësi i Komisionit Evropian, Guillaume Mercier.

Megjithatë, veprimi i fundit nxori në pah një problem më të thellë: Mali i Zi, i cili tani po hyn në fazën përfundimtare të negociatave të anëtarësimit në BE, ka nisur të shfaqë shenja të ngadalësimit të procesit.

Ambicia nuk është vetëm e Malit të Zi, por edhe e institucioneve evropiane, që ky vendi t’i mbyllë të gjithë kapitujt negociues deri në fund të këtij viti.

Kjo, së paku teorikisht, do ta bënte të realizueshëm sloganin shtetëror “28 deri më 28”, që nënkupton se Mali i Zi mund të bëhet anëtari i 28-të i Bashkimit Evropian deri në fund të vitit 2028 – duke pasur kështu kohë të mjaftueshme për ratifikimin e Marrëveshjes së Anëtarësimit, e cila nënshkruhet pas përfundimit zyrtar të negociatave.

Procesi i ratifikimit duhet të kalojë në të gjitha shtetet aktuale anëtare të BE-së – gjithsej 27 – si dhe në shtetin që i bashkohet unionit, në këtë rast, Malin e Zi.

Ky është një proces që zakonisht zgjat nga një deri në tre vjet.

Megjithatë, Mali i Zi, i cili shpesh konsiderohet si lider në procesin e zgjerimit të BE-së, po e zvarrit ritmin e reformave dhe të negociatave.

Sipas zyrtarëve evropianë, plotësimi i pozitave kyç, si gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe anëtarët e Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial, tashmë përbën një pengesë serioze për vazhdimin e negociatave të anëtarësimit.

Po të kishte vendosur presidenti Millatoviq t’i frenonte të ashtuquajturat “ligje blu”, kjo do të kishte rrezikuar konferencat e ardhshme ndërqeveritare, të planifikuara për muajt mars dhe prill, në të cilat mund të mbyllen disa kapituj negociues, bëjnë të ditur burime të Radios Evropa e Lirë.

E, këtë e konfirmoi edhe Mercier.

“Vonesat e vazhdueshme në procese kyç, si miratimi i ligjeve dhe emërimi i pozicioneve të lira, nëse mbeten të pazgjidhura, mund të përbëjnë një pengesë serioze për realizimin e ambicies së Malit të Zi që t’i mbyllë të gjithë kapitujt negociues deri në fund të vitit”, tha ai.

Eurodeputeti Tomisllav Sokoll, anëtar i delegacionit për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit ndërmjet BE-së dhe Malit të Zi, paralajmëroi se ngadalësimi i ritmit të miratimit të ligjeve të nevojshme për mbylljen e kapitujve, “mund të ketë pasoja afatgjate për rrugën evropiane të shtetit”.

“Dritarja e BE-së nuk do të jetë e hapur përgjithmonë, dhe dihet se kush dëshiron ta mbyllë atë. Prandaj, është e rëndësishme të mos humbet një moment që rrallëherë përsëritet”, shkroi Sokoll në rrjetet sociale.

Në janar, Mali i Zi mbylli përkohësisht kapitullin 32 dhe aktualisht i ka të mbyllur 13 kapituj nga gjithsej 33 në negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Pritet që gjatë gjysmës së parë të vitit, Bashkimi Evropian të miratojë formimin e grupeve punuese që do të angazhohen në hartimin e draftit të Marrëveshjes së Anëtarësimit.

Teksti i kësaj marrëveshjeje përcakton kushtet e anëtarësimit, marrëveshjet kalimtare, masat mbrojtëse, kontributin buxhetor, numrin e deputetëve në Parlamentin Evropian, votat në Këshillin e BE-së, si dhe komisionarin që do ta përfaqësojë Malin e Zi.

Sipas parimeve negociuese të miratuara nga Konferenca e Anëtarësimit, marrëveshjet e arritura gjatë negociatave për kapitujt e veçantë, edhe kur janë të pjesshme, nuk konsiderohen përfundimtare, derisa të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse për të gjithë kapitujt.

Mali i Zi duhet të mbyllë edhe 23 kapituj negociues, ndërsa për mbylljen e secilit prej tyre kërkohet miratimi i të gjitha shteteve anëtare të Bashkimit Evropian./REL

Të këshilluara

ide

Plaku me bastun, si antimodeli ndaj një pushteti të shurdhët

Ndarja e re teritoriale përpos problemeve të diskutueshme me pakësimin e bashkive po vërteton se kjo qeverisje e degraduar nuk ka më as vullnet as nerva për të dëgjuar qytetarët. Prandaj rruga e vetme e komunikimit me të mbetet ajo e ngritjes së shkopit

16:34 Andi Bushati

Një monument i shëmtuar i autoritarizmit politik

Në vend që të kujdesen për godint që kërcënojnë qytetarët estetikisht dhe fizikisht, Kryeministri dhe Bashkia e tij në Durrës rendin të hedhin miliona euro për të ndërtuar mure betoni që fshehin detin dhe shëmtojnë qytetin

10:47 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

32°c

KËMBIMI EURO

92.53

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI