Flash

Analiza në REL/ Ku po shkon LDK-ja?

Lapsi.al 15 January 2026
Analiza në REL/ Ku po shkon LDK-ja?

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit të vitit të kaluar sollën rezultatin e dytë më të keq për Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), partinë më të vjetër në Kosovë, që nga paslufta.

Por, përballë këtij momenti vendimtar për të ardhmen e partisë, Radios Evropa e Lirë (REL) s’i folën shumë nga përfaqësuesit e LDK-së, si: Lumir Abdixhiku, Lutfi Haziri, Hykmete Bajrami, Jehona Lushaku Sadriu, Avdullah Hoti, Anton Quni, Doarsa Kica Xhelili, Besian Mustafa, Arben Gashi e Agim Veliu.

Për politologun Dritëro Arifi, kjo simbolizon “mbylljen” e LDK-së, që kur u morën vesh rezultatet e zgjedhjeve, se ajo mori vetëm 13.23 për qind të votave.

Arifi shpreson që, të paktën, kjo kohë po shfrytëzohet për të menduar për “risitë që duhet të sjellë LDK-ja në strukturat e partisë”.

Për njohësen e zhvillimeve politike, Donika Emini, risia kryesore që i duhet LDK-së është ikja nga një lloj “gjumi letargjik”.

“Prej 2021 deri më 2025, partia nuk ka qenë aktive në mënyrë të qëndrueshme, dhe kjo ka pasur pasoja të dukshme në perceptimin e saj si forcë politike”, thotë Emini për REL-in.

Por, mbrëmjen e së mërkurës u shpërfaqën në Facebook disa mosmarrëveshje nga debati i brendshëm në LDK. Nënkryetarja e partisë, Hykmete Bajrami, tha se ka dhënë dorëheqje nga posti i saj, dhe kërkoi që të njëjtën ta bënte edhe kryetari Abdixhiku.

Ky i fundit, duke kërkuar që të tjerët “të sillen pa dramë e pa protagonizëm”, përsëriti se e ka ofruar dorëheqjen, por se vendimin për pranimin ose jo të saj do ta marrë Kuvendi i partisë.

LDK-ja përballë dy testeve të para

Një test i parë për të ardhmen e LDK-së pritet të jetë reformimi ose jo i udhëheqjes së saj.

“Derisa e kemi një kryetar, që thotë: ‘Unë po shkoj; por, nëse ju më besoni, unë mund të vazhdoj’… Kjo tregon që këtu nuk ka qasje [për të ardhmen e partisë]. Këtu ka më shumë interesa personale sesa partiake”, thotë Arifi për REL-in.

Një tjetër moment kyç që mund ta formësojë LDK-në është edhe bashkëpunimi ose jo me partinë fituese të zgjedhjeve, Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), për mandatin e ri pesëvjeçar të presidentit, që duhet të zgjidhet më 4 mars.

“Hapi më i mençur për LDK-në do të ishte ta pranonte rezultatin e zgjedhjeve dhe të mos e bllokonte procesin e zgjedhjes së presidentit”, thotë Emini.

Ajo beson se nëse LDK-ja nuk tregohet bashkëpunuese, asaj mund t’i largohen deputetë drejt LVV-së, ose të pësojë rënie edhe më të madhe në zgjedhjet e ardhshme.

Ku gaboi LDK-ja dhe si mund ta rikthejë besimin e elektoratit?

Rezultatet e veta më të mira, LDK-ja i gëzoi në vitet e para të pasluftës, nën udhëheqjen e Ibrahim Rugovës. Atëbotë, kjo parti fitonte rreth 45 për qind, por tani ka rënë në rreth 13 për qind.

Për Arifin, sinjale për rënien e LDK-së ka pasur mjaft.

“Këto janë gjëra që partitë nuk duan t’i pranojnë, jo që nuk i dinë”, thotë ai, duke shtuar se rënia e tillë tregon se ka dështuar e gjitha struktura e LDK-së në nivel vendi.

Një nga arsyet pse LDK-ja ka humbur besimin e shumë qytetarëve, thotë Arifi, është se ardhjet e fundit në parti e kanë përmirësuar listën për deputetë, por s’kanë sjellë shumë vota, pasi nuk janë integruar në udhëheqje të partisë.

Për Eminin, gabimi i LDK-së qëndron te “ngrirja në kohë” dhe insistimi në “frymën rugoviane”, ndërkohë që “votuesit kërkojnë zgjidhje të reja dhe përfaqësim të gjeneratave të reja”.

Por, ajo thekson edhe disa përçarje brenda partisë.

“Heqja e Agim Veliut nga lista ishte e kushtueshme politikisht. Veliu përfaqësonte një pjesë më tradicionale të LDK-së, dhe mungesa e tij ndikoi në rezultatin e partisë”, thotë Emini, duke shtuar se, në anën tjetër, njerëzit e rinj s’tërhoqën votat e të rinjve që kërkonin ide të reja.

Ajo shton se me sfida të ngjashme përballet edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK). Si dy partitë kryesore në vitet e para të pasluftës dhe pas pavarësisë së Kosovës, tani këto dy parti po e kanë të vështirë të shfaqen si alternative serioze qeverësise ndaj LVV-së.

E, si mund të ndryshojë kjo? Duke u reformuar, thotë Emini.

Si hap i parë, shton ajo, është pranimi i realitetit: LDK-ja radhitet si partia e tretë më e madhe në vend, me vetëm 15 vende të fituara në Kuvend nga gjithsej 120.

Hapat e radhës i theksojnë po aq fuqishëm edhe Emini, edhe Arifi: LDK-ja duhet të bëjë matje e analiza se pse ka humbur, e pastaj të pozicionohet si opozitë sa aktive, po aq edhe konstruktive.

Duke qenë aktive në Kuvend, në raport me mediat, me shoqërinë civile, me pozitën e opozitën, Emini thotë se LDK-ja mund të paraqitet si forcë e madhe politike edhe me numër të vogël deputetësh. /Radio Evropa e Lire

Të këshilluara

ide

Pogradeci, si inerci e Shqipërisë së djeshme

Edi Rama po sillet sikur paqja sociale mund të rivendoset duke arrnuar modelin e vjetër të qeverisjes, ndërkohë që ata që kërkojnë dorëheqjen e tij e bëjnë këtë në emër të përmbysjes së një sistemi

19:23 Andi Bushati

Një monument i shëmtuar i autoritarizmit politik

Në vend që të kujdesen për godint që kërcënojnë qytetarët estetikisht dhe fizikisht, Kryeministri dhe Bashkia e tij në Durrës rendin të hedhin miliona euro për të ndërtuar mure betoni që fshehin detin dhe shëmtojnë qytetin

10:47 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

26°c

KËMBIMI EURO

92.44

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

Asllani, askush në Serie A nuk e do: hapet pista arabe për Interi, Al Jazira kërkon shqiptarin

Kristjan Asllani, mesfushori shqiptar i cili ka pasur disa eksperienca huazimi, duket se nuk bën pjesë në planet e Interit. Ndërsa drejtuesit zikaltër kërkojnë një zgjidhje për të ardhmen e tij para mbylljes së merkatos, një mundësi e re është hapur në Lindjen e Mesme. Klubi i Al Jazira-s ka shfaqur interes serioz, megjithëse preferencat e palëve për transferimin ndryshojnë.

15:20

PAPARAZZI

Ndahet nga jeta Dolly Parton

Legjenda e muzikës country Dolly Parton ka ndërruar jetë në moshën 80-vjeçare. Lajmin e trishtë e bëri të ditur ...

22:09