Flash

Kushtetuesja zbardh vendimin për Veliajn: Presidenti shkeli Kushtetutën

Lapsi.al 12 January 2026
Kushtetuesja zbardh vendimin për Veliajn: Presidenti shkeli

Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin për çështjen e shkarkimit të kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, duke i dhënë të drejtë kryebashkiakut dhe duke rrëzuar vendimet e Këshillit të Ministrave dhe Presidentit të Republikës.

Në seancën plenare publike të datës 31 tetor 2025, Gjykata Kushtetuese, e kryesuar nga Holta Zaçaj dhe me pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve, shqyrtoi kërkesën e paraqitur nga Veliaj.

Me shumicë votash, Gjykata vendosi pranimin e kërkesës dhe shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave për shkarkimin nga detyra të kryetarit të Bashkisë së Tiranës duke e cilësuar atë si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Ne vendimin e zbardhur, theksohen një seri shkeljesh të bëra që nga Këshilli Bashkiak për mospraninë e Veliajt në mbledhje dhe deri te argumenti se kryebashkiaku kishte munguar mbi 30 ditë në punë.

“Nga analiza e rrethanave faktike, Gjykata evidenton, së pari, se e drejta për proces të rregullt ligjor përfshin një sërë garancish procedurale, të cilat përbëjnë detyrime pozitive të organeve publike që zhvillojnë procedurën e shkarkimit nga detyra të organit të zgjedhur të qeverisjes vendore.

Barra për përmbushjen e këtyre garancive nuk mund të zhvendoset tek individi ndaj të cilit zhvillohet kjo procedurë. Këto garanci synojnë jo vetëm sigurimin e transparencës dhe informimit të plotë për natyrën dhe arsyet e procedimit, por edhe krijimin e kushteve reale dhe efektive që subjekti i prekur të ushtrojë të drejtën për t’u dëgjuar dhe për të paraqitur mbrojtjen e tij.

Në këtë kuptim, Gjykata vë në dukje se thjesht marrja dijeni nga kërkuesi për datën e mbledhjes së këshillit bashkiak nuk mjafton për të çliruar organin publik nga detyrimi për të ndërmarrë të gjitha masat e domosdoshme procedurale që garantojnë një proces të drejtë dhe jo formalist.

Standardi kushtetues i procesit të rregullt kërkon që organet publike të veprojnë me nismën e tyre, veçanërisht në rastet kur individi ndodhet në një situatë objektive jofavorizuese, siç është izolimi për shkak të masave të sigurimit personal. Kjo e fundit, logjikisht, e bën të pamundur pjesëmarrjen fizike të kërkuesit në mbledhjen e këshillit bashkiak pa ndërhyrjen e organeve kompetente” – thuhet në vendim.

“Vendimi i Këshillit të Ministrave, i cili ka marrë për bazë vetëm faktin e mungesës tremujore në detyrë, nuk ka analizuar shkakun, rrethanat dhe as ndikimin e mungesës në ushtrimin e detyrës, duke mos vlerësuar nëse kjo situatë rridhte nga veprimet ose mosveprimet e vetë kryetarit dhe nëse ajo mund të konsiderohej shkelje e rëndë e Kushtetutës ose e ligjeve.

Gjykata thekson se mbrojtja e interesit publik për të siguruar funksionimin e rregullt të organeve të qeverisjes vendore dhe të drejtën e zgjedhësve për t’u qeverisur nga një organ i zgjedhur drejtpërdrejt nuk mund të përdoret si argument për të relativizuar ose anashkaluar kërkesat e qarta kushtetuese.

Standardet kushtetuese të mbrojtjes së mandatit të të zgjedhurit vendor dhe të kufizimit të kompetencave shkarkuese të pushtetit ekzekutiv kanë për qëllim pikërisht mbrojtjen e parimit të autonomisë vendore dhe të vullnetit të zgjedhësve. Prandaj, zbatimi mekanik i një dispozite ligjore pa u lidhur me kriterin material kushtetues, përbën shmangie nga rendi kushtetues dhe cenon garancitë thelbësore të ushtrimit të mandatit të përfaqësimit vendor.

Për sa më lart, Gjykata arrin në përfundimin se vendimi i shkarkimit të kërkuesit nga detyra është rrjedhojë e një procesi të parregullt ligjor, që ka sjellë pasojë cenimin edhe të parimit të autonomisë vendore, ndaj pretendimet e tij që lidhen me atë proces janë të bazuara” – thuhet në vendim.

Po ashtu, Gjykata Kushtetuese shfuqizoi dekretin e Presidentit të Republikës “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore”, për pjesën që lidhet me Bashkinë Tiranë, duke konstatuar shkelje të neneve 115, pikat 2 dhe 3 të Kushtetutës.

“Gjykata çmon se Presidenti ka nxjerrë dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve, duke mos mbajtur në konsideratë se vendimi i shkarkimit të Këshillit të Ministrave, për shkak të paraqitjes së ankimit kushtetues nga ana e organit të zgjedhor vendor, ishte i pezulluar ipso iure.

Ai ishte i detyruar të priste vendimin përfundimtar të Gjykatës dhe vetëm në rast të lënies në fuqi të vendimit për shkarkimin nga detyra, mund të ushtronte kompetencën e tij. Në këtë mënyrë, Presidenti ka caktuar datën e zgjedhjeve në bashkinë e Tiranës, edhe pse gjendej përpara një pengese kushtetuese të parashikuar nga neni 115 i Kushtetutës.

Në vlerësimin e Gjykatës, kjo mënyrë e të vepruarit të Presidentit nuk respekton edhe parimin e luajalitetit kushtetues. Për këtë arsye, Gjykata arrin në përfundimin se dekreti i Presidentit, për pjesën që ka caktuar datën e zgjedhjeve në bashkinë Tiranë, ka dalë në shkelje të parashikimeve kushtetuese dhe duhet të shfuqizohet” – thuhet në vendimin e zbardhur. ©LAPSI.al

Të këshilluara

ide

Rama dhe psikologjia e masave: Rruga e fashizmit hapet nëse mposhtet ptotesta

Në rastin e protestave aktuale, thelbi nuk është “urrejtja e masës” ndaj zhvillimit. Thelbi është se një pjesë e madhe e shoqërisë nuk pranon më që “zhvillimi” të përkufizohet vetëm nga qeveria, investitori dhe propaganda. Qytetarët po thonë se zhvillimi duhet të matet edhe me demokraci, drejtësi, mjedis, punë dinjitoze, llogaridhënie dhe të drejtën e qytetarëve për të vendosur mbi hapësirat ku jetojnë

21:27 Klevis Kolasi

MOTI TIRANA

29°c

KËMBIMI EURO

94.89

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI