Flash

Ilir Meta hedh dyshime se pas zjarreve fshihen plane ndërtimi

Lapsi.al 14 August 2025
Ilir Meta hedh dyshime se pas zjarreve fshihen plane ndërtimi

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në një postim në Facebook ka reaguar lidhur me zjarrin që përfshiu zonën e “Syrit të Kaltër”, duke e cilësuar ngjarjen si një tjetër sinjal alarmi për abuzimin dhe mungesën e përgjegjësisë shtetërore ndaj pasurive natyrore.

Meta shpreh indinjatën e tij për shkatërrimin e një prej perlave turistike të vendit dhe thekson se zjarri i rënë në pyllin përreth nuk është një aksident i rastësishëm, por pasojë e neglizhencës së qëllimshme dhe mungesës së çdo mase parandaluese nga qeveria.

Ai e quan të pakuptueshme se si në një zonë me mijëra vizitorë çdo ditë, me prezencë të policisë private, restorante dhe të ardhura të konsiderueshme nga biletat, zjarri ka mundur të marrë përmasa apokaliptike pa u ndërhyrë në kohë.

Ndër të tjera, Meta ngre shqetësimin se, ashtu si në raste të mëparshme në zona si Manastiri i Sarandës apo pyjet e Shëngjinit, edhe në këtë rast flakët mund të jenë parapërgatitje për të hapur rrugën e betonit dhe interesave klienteliste.

Postimi i plotë:

Srebrenica, Syri i Kaltër dhe “pikëzat” e Rilindjes

Ishin të pabesueshme për mua përmasat e flakëve në pyllin që rrethon dhe hijeshon Syrin e Kaltër, këtë monument natyror unik, që në këtë kohë vizitohet nga mijëra turistë çdo ditë.

E pamundur, thashë me vete, që këto flakë apokaliptike po kapin qiellin pikërisht te Syri i Kaltër.

M’u kujtua vizita ime e fundit atje para dy vitesh, te ajo mrekulli natyrore që ka një fuqi magnetizuese në rritje, që përherë të shton padurimin për t’u rikthyer.

Si shumë vizitorë të tjerë edhe unë nuk i rezistova tundimit për t’u zhytur në ujërat e freskëta të Syrit të Kaltër ku, bashkë me freskinë e atij uji të bekuar, soditja e atij pylli madhështor dhe shumëshekullor e çon kënaqësinë në zenit.

Çudi sesi mund të shkonin flakët e zjarrit në qiell atje ku jo vetëm në çdo moment ka qindra vizitorë, por edhe shumë personel të policisë private, që nis nga parkingu e ndodhet kudo.

Atje ku çdo ditë mblidhen mijëra euro nga biletat e vizitorëve, atje ku ka edhe plot restorante dhe ambiente shërbimi.

Atje ku ka ujë pa fund dhe, sikur vetëm kova me ujë të ishin përdorur nga policia private, do ishte fikur zjarri që në shkëndijën e parë.

Por m’u kujtua edhe “pikëza” e vogël që na tregoi Ministrja Kumbaro te Manastiri i Sarandës, që sot është kthyer në një qytezë betoni.

M’u kujtua edhe flaka që fshiu pak kohë më parë pyllin me pisha në mes të Shëngjinit, ditën për diell, që thonë se u bë për t’i çelur rrugë betonizimit fitimprurës.

Ndërkohë m’u kujtua 15 vite më parë edhe vizita në Srebrenicë, në përkujtim të 8 mijë viktimave që u vranë mizorisht nga kriminelët e Karaxhiçit dhe Mlladiçit.

Pas ceremonisë, në kthim, diskutonim për atë tragjedi të papërshkrueshme që turpëron sot e përgjithmonë jo vetëm ata që e bënë dhe kombin e tyre, por edhe ata që nuk e parandaluan.

Ndërkohë soditnim pyjet e mrekullueshme të Bosnjës, që janë të pafund dhe të mirëmbajtur me shumë përkujdesje.

Atje çdo pemë ishte e matrikulluar me çdo të dhënë.

Duke diskutuar për këtë përkujdesje të jashtëzakonshme ndaj pyjeve atje, papritur bashkëbiseduesi im tha diçka që u gdhend përgjithmonë në kujtesën time:

Vërtet ata ishin kriminelë dhe vranë mijëra njerëz, por nuk prenë asnjë pemë dhe nuk dogjën asnjë pyll.

Ndërsa “Rilindja” këtu ka zgjedhur prej kohësh jo vetëm t’i përzërë njerëzit nga vendi i tyre, e sidomos zonat rurale, por edhe atyre të paktëve që kanë mbetur, t’ua shtojë vuajtjet dhe dëmet, siç po ndodh edhe këtë vit ku asnjë politikë parandaluese nuk u ndoq, e jo më të shpallej Gjendja e Fatkeqësisë Natyrore.

Si mund të pritet përgjegjshmëri nga një Kryeministër i provuar si armik i mjedisit, si shkatërrues i hapësirave të gjelbra dhe publike, armik i zonave të mbrojtura dhe promotor i betonizimit të Tiranës, që sot vetëm për këtë arsye ka një nxehtësi përvëluese disa gradë më shumë dhe po kështu është kryeqyteti më i ndotur në kontinent.

Ndaj të mos habitemi që flakët që pamë te Syri i Kaltër të jenë në të ardhmen një “pikëz” betoni si ajo e Manastirit të Sarandës.

Të këshilluara

ide

Si të shndërrohet protesta në lëvizje

Mungesa në shoqërinë shqiptare e një lëvizje shpërndërruese për sistemin politik dhe kulturor të këtyre 35 vjetëve, neoliberal neokolonialisht: ky është problemi më i madh që kemi

10:06 Rudian Zekthi

Një antihero i dëshpëruar i Homerit

Kryeministri ka përdorur mitin antik të Odiseut që nuk joshet nga sirenat, për të përçuar mesazhin se ai do të vazhdojë përpara pa pyetur për protestuesit. Por nëse nuk do e kish njohur veprën e Homerit vetëm përmes ekranizimit, do të kish gjetur tek kjo metaforë gjurmët e një autokrati

16:50 Andi Bushati

MOTI TIRANA

35°c

KËMBIMI EURO

94.26

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI