Flash

Zjarret në vend, përditësimi i fundit i situatës

Lapsi.al 11 August 2025
Zjarret në vend, përditësimi i fundit i situatës

Një zjarr me përmasa shqetësuese ka shpërthyer në Malin e Golikut, mes fshatrave Kodër dhe Lekë, dhe po zgjerohet në drejtim të Majës së Golikut për të kaluar në faqen e tij veriore.

Dy helikopterë izoluan pjesërisht zjarrin që rrezikonte fshatin Kodër, por tanimë flakët janë drejtuar rreth majës së malit.

Nëse zjarri kalon në pjesën veriore, në Parkun Kombëtar Peshtan-Zhej, ku gjendet edhe pylli më i madh i vetëm në jug të Shqipërisë, ai mund të kthehet në një katastrofë kombëtare, pasi do të jetë e pamundur shuarja e tij, duke shkretuar parkun kombëtar Peshtan-Zhej.

Dy helikopterët u spostuan pranë Syrit të Kaltër në Delvinë, ku po ashtu pylli është përfshirë nga flakët.

Intensiteti i zjarrit është i lartë dhe mund të përhapet shpejt drejt Tërbaçit. Ndërkohë po evakuohen edhe vizitorët.

Në terren kanë qenë 37 efektivë me 6 automjete zjarrfikëse, 20 forca policore, 30 forca bashkiake dhe vullnetare, të ndihmuar nga Forcat e Armatosura me 28 efektivë, 4 automjete zjarrfikëse, 1 autoambulancë, 1 autobot, 60 forca ushtarake dhe mbështetje nga ajri. Ndërsa nga ajri ka hedhur ujë avioni Canadair i ardhur nga Kroacia.

Edhe në fshatin Krongj të Finiqit është riaktivizuar vatra e zjarrit, e për pasojë janë evakuuar banorët.

Në zonën e mbrojtur “Rëzom” të njësisë njësia administrative Vergo, mbi tunelin e Skërficës që lidh Sarandën me Gjirokastrës, ka një vatër zjarri. Për shkak të terrenit të thyer është e vështirë ndërhyrja nga toka.

Në fshatin Bolenë të Himarës ka vatër zjarri, ku forcat operacionale, të ndihmuar edhe nga 20 efektivë të Forcave të Armatosura, po punojnë për shuarjen e flakëve.

Në fshatin Lukovë të Himarës, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Në terren po punojnë efektivët e MZSH Himarë, Sarandë me 3 automjete zjarrfikëse dhe 11 efektivë, për shuarjen e tij. Gjithashtu ka operuar edhe avioni kroat Canadair. Ditën e sotme forcat operacionale po punojnë për shuarjen e zjarrit, të ndihmuar dhe nga 1 mjet zjarrfikës me 3 efektivë të MZSH, Fier.

Në fshatin Malaj i Epërm, në lagjen "Vjollcë", të Rrëshenit në Mirditë, zjarri është izoluar në sipërfaqe pyjore me pisha, lis dhe shkurre. Vatra e zjarrit është nën kontroll të plotë, por forcat operacionale po e mbajnë në monitorim.

Në Malin e Allushit, në afërsitë fshatit Plani Bardhë, të Klosit, vatra e zjarrit është nën kontroll dhe po monitorohet nga 6 efektivë të zjarrfikëses.

Në Poliçan të Beratit, jashtë territorit të Uzinës Mekanike, vazhdon aktive vatra e zjarrit në një sipërfaqe me shkurre dhe ullishte. Zjarri ka kaluar mbi ujësjellësin, pranë disa banesave dhe pranë qytetit tek Azili i të Moshuarve. Banorët janë evakuuar. Në terren kanë operuar forcat e zjarrfikëses të bashkive Poliçan, Berat, Skrapar, Lushnje, Patos dhe Roskovec me 7 automjete zjarrfikëse dhe 25 efektivë, të ndihmuar nga 60 efektivë të FA e mbështetje nga ajri.

Te Mali i Bërzhitës në Tiranë, në fshatin Ibë, zjarri është përhapur në një sipërfaqe prej 5 Ha në zonë me shkurre dhe ferra. Ditën e sotme forcat operacionale po punojnë për shuarjen e zjarrit.

Në fshatrat Ballaj dhe Zhabjak të Rrogozhinës zjarri mori përmasa duke rrezikuar banesat e fshatit Ballaj, por pas një pune të palodhur të forcave zjarri është vënë nën kontroll, ndihmuar edhe nga një helikopter i FA dhe 50 efektivë. Janë shpëtuar mbi 50 banesa, ku në 6 prej të cilave zjarri arriti deri në oborr, por fatmirësisht pa shkaktuar asnjë dëm. Ditën e sotme forcat operacionale po punojnë për eliminimin e plotë të vatrës.

Në fshatin Okshtun të Rrogozhinës, forcat operacionale po punojnë për shuarjen e zjarrit.

Në fshatin Peqinaj, Synej, të Kavajës, janë djegur 10 hektarë si pasojë e zjarrit. Ditën e sotme forcat operacionale po vijojnë të punojnë për shuarjen e zjarrit. Në këtë zonë ka ndihmuar nga ajri edhe një avion Canadair i Kroacisë.

Në malin e Krujës, sipër fabrikës së çimentos, ka rënë zjarr në sipërfaqe me pyll pishe. Në terren janë angazhuar 15 forca operacionale, të cilët kanë bërë të mundur izolimin e tij. Intensiteti i zjarrit është ulur. Ditën e sotme forcat operacionale po e mbajnë në monitorim.

Në fshatin Turan të Tepelenës, vatra e zjarrit është izoluar, por po mbahet nën monitorim.

Në fshatin Mukaj të Gramshit, situata ka qenë problematike për shkak të erës, duke rrezikuar edhe banesat. Ditën e sotme forcat operacionale po punojnë për shuarjen e zjarrit, të mbështetur dhe 8 efektivë dhe 12 forca te bashkisë Gramsh.

Te uzina në Cërrik, zjarri është izoluar dhe vijon puna për fikjen e plotë të vatrës.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve në vend u angazhuan 68 automjete zjarrfikëse dhe 601 forca operacionale, të ndihmuar nga Forcat e Armatosura me 183 forca ushtarake, 3 automjete zjarrfikëse dhe 3 helikopterë të FA.

Gjithashtu morën pjesë edhe 2 avionë Canadair nga Kroacia dhe Italia të ardhur në ndihmë të Shqipërisë përmes Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile.

Një prej avionëve Canadair nga Kroacia ka ndërhyrë prej orëve të para në Synej të Kavajës.

Në dispozicion sot janë edhe dy helikopterët Black Haëk të Forcës Ajrore të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Helikopterët e Forcës Ajrore çeke dhe asaj sllovake kanë operuar sot nga Baza e Kuçovës drejt Gramshit.

Ministria e Mbrojtjes sqaron se nga parashikimet e IGJEO, ditën e sotme nuk priten reshje.

“Sa i përket zjarreve, pritet nivel rreziku I “LARTË” në të gjitha qarqet. Nё disa qarqe pritet rrezik “SHUMË I LARTË” vetёm nё zona tё lokalizuara, konkretisht: qarku Shkodër (Jug), qarku Lezhë (Veri), qarku Elbasan (Perëndim)”, thotë Ministria e Mbrojtjes.

Temperaturat maksimale pritet të arrijnë deri në 42 °C në vendet e ulëta.

Të këshilluara

ide

Çfarë e ka shfazuar Edi Ramën

Përtej teorive komplotiste ka një shpjegim të thjeshtë se si ata të rinj që bërtasin rrugëve të Shqipërisë kundër kryeministrit të tyre, u gjendën në të njëjtën anë të barikadës me mediat më të rëndësishme të globit

16:26 Andi Bushati

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

24°c

KËMBIMI EURO

95.24

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI