Flash

Nënshkruhet marrëveshja e koalicionit qeverisës në Gjermani

Lapsi.al 6 May 2025
Nënshkruhet marrëveshja e koalicionit qeverisës në Gjermani

Konservatorët e kancelarit të ardhshëm të Gjermanisë, Friedrich Merz, dhe Partia Socialdemokrate e qendrës së majtë, e nënshkruan të hënën formalisht marrëveshjen për koalicion, në prag të fillimit të punës së Qeverisë së re gjermane të udhëhequr nga ta.

Merz, 69 vjeç, do të betohet të martën si udhëheqës i ri i vendit me ekonominë më të madhe në Evropë, duke i dhënë fund një ngërçi politik gjashtëmujor në Berlin.

Aleanca CDU/CSU e udhëhequr nga Merzi dhe partneri në koalicion, Partia Socialdemokrate (SPD), janë zotuar se do ta ringjallin ekonominë e dobësuar dhe se do ta rindërtojnë ushtrinë në një kohë kur presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, e ka vënë në dyshim të ardhmen e sigurisë dhe lidhjeve tregtare transatlantike.

Merz gjithashtu është zotuar se do ta frenojë emigracionin e parregullt dhe se do ta ndalë rritjen e partisë kundër emigracionit, Alternativa për Gjermaninë (AfD), e cila doli në vend të dytë në zgjedhjet e parakohshme të shkurtit.

AfD-ja u shpall të premten "grup ekstremist i krahut të djathtë" nga shërbimi i inteligjencës së brendshme të Gjermanisë - një veprim që ka nxitur një përplasje të re me administratën Trump, dhe kundër të cilit AfD-ja nisi veprime ligjore të hënën.

Nënpresidenti amerikan, JD Vance, e përshkroi AfD-në - e cila, si Trump, ka bërë fushatë kundër emigracionit - si "partinë më popullore në Gjermani".

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e cilësoi veprimin e agjencisë gjermane të inteligjencës si "tirani të maskuar".

Që nga zgjedhjet e shkurtit, AfD-ja ka qenë në garë të ngushtë me CDU/CSU-në në sondazhe dhe herë pas here në avantazh.

Merz, i cili ka përvojë të madhe në biznes, por zero përvojë në poste drejtuese qeveritare, në ceremoninë e nënshkrimit të së hënës premtoi "qeverisje të fortë, të besueshme dhe të planifikuar mirë".

"Ne jetojmë në kohë ndryshimesh të thella, përmbysjesh të thella... dhe pasigurie të madhe, dhe kjo është arsyeja pse ne e dimë se është detyra jonë historike të udhëheqim këtë koalicion drejt suksesit", tha ai.

Marrëveshja e koalicionit, e cila ka 144 faqe dhe titullohet: "Përgjegjësia për Gjermaninë", përshkruan një plan politik për katër vjetët e ardhshme të koalicionit ndërmjet dy partive më të mëdha tradicionale në vend.

Merz tha se Qeveria e re "është e vendosur të ecë përpara me reforma dhe investime" dhe gjithashtu premtoi "një Qeveri zëri i së cilës dëgjohet në Evropë dhe në botë".

Qeveria në largim e kancelarit të SPD-së, Olaf Scholz, u shpërbë më 6 nëntor, në ditën kur Trump u rizgjodh president amerikan.

Vetë Scholz nuk do të jetë pjesë e kabinetit të ri, por do të qëndrojë në parlament si deputet.

Dhoma e ulët e Parlamentit të Gjermanisë do të mblidhet nga ora 09:00 të martën për një seancë në të cilën pritet që deputetët ta zgjedhin Merzin si kancelarin e 10-të të Gjermanisë moderne.

Pasi kreu i shtetit gjerman, presidenti Frank-Walter Steinmeier, ta ketë konfirmuar votimin, Merz pritet ta bëjë betimin në mesditë./REL

Të këshilluara

ide

Pogradeci, si inerci e Shqipërisë së djeshme

Edi Rama po sillet sikur paqja sociale mund të rivendoset duke arrnuar modelin e vjetër të qeverisjes, ndërkohë që ata që kërkojnë dorëheqjen e tij e bëjnë këtë në emër të përmbysjes së një sistemi

19:23 Andi Bushati

Një monument i shëmtuar i autoritarizmit politik

Në vend që të kujdesen për godint që kërcënojnë qytetarët estetikisht dhe fizikisht, Kryeministri dhe Bashkia e tij në Durrës rendin të hedhin miliona euro për të ndërtuar mure betoni që fshehin detin dhe shëmtojnë qytetin

10:47 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

21°c

KËMBIMI EURO

92.53

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI