Flitet për Kombëtaren dhe debatet ndezin gjakrat në mënyrë të pakontrolluar, edhe në Itali. Lele Adani shpërthen kur hapet diskutimi për të ardhmen e Italisë, që do të përballet me Norvegjinë në kualifikimet europiane për Botërorin 2026. Arsyeja e debatit është një koment mbi forcën e kundërshtarit, por gjithashtu përfshihet edhe një deklaratë e mëparshme e Fabio Caressa, i cili rreth një muaj më parë kishte dhënë një opinion të fortë për norvegjezët, duke i konsideruar shumë më të dobët.
Ish-futbollisti ka një mendim krejtësisht të kundërt dhe nuk ka kursyer askënd në analizën e tij, edhe pse nuk përmend asnjëherë emrin e komentatorit të njohur. Gjatë një episodi në “Viva e Futbol”, emisionin që drejton së bashku me Antonio Cassano dhe Nicola Ventola, Adani ka përdorur fjalë të ashpra ndaj rivalit të tij, me të cilin është përplasur edhe në të kaluarën.
Shpërthimi i Adanit dhe fjalët e Caressës për Norvegjinë
Gjithçka nisi një muaj më parë, kur Caressa, gjatë një interviste në Radio Deejay, dha mendimin e tij për ndeshjen Itali-Norvegji: “Haaland u anulua nga Gatti, Norvegjia nuk shkon në Botëror që nga 1998 dhe nuk ka marrë pjesë në Europian që nga 2000. Nëse duhet të kemi frikë nga Norvegjia, më mirë të rrimë në shtëpi”.
Kjo frazë nuk i ka dalë nga mendja Adanit, i cili e përmendi në momentin e duhur, duke nisur një shpërthim që është bërë viral në rrjetet sociale dhe që, me shumë gjasa, i referohet pikërisht kësaj deklarate.
Referenca pa e përmendur...
Analisti nuk përmend kurrë rivalin e tij të famshëm, por referenca është e qartë: “Kush e njeh futbollin, e di që Norvegjia është një skuadër e fortë, sepse Sorloth, Haaland, Odegaard nuk janë lojtarë thjesht të fortë, janë më shumë se kaq. Ndoshta, nëse i heq ata, ne nuk i kemi të tillë. Nuk kemi një Haaland, nuk e di nëse gabohem, dhe nuk kemi një Odegaard në formë. Disa k*qe që nuk dinë të bëjnë këtë punë, por fitojnë para prej 30 vitesh, dalin dhe thonë: ‘Nëse tani kemi frikë nga Norvegjia?’. K*qe, po ta them në italisht. Italia është eliminuar nga Maqedonia e Veriut dhe Suedia”.
Fjalët e tij të forta nuk përfundojnë këtu. Në diskutimin e tij, Adani vijon ta theksojë këtë çështje: “Ma kanë thënë dhe unë duhet të të thërras me emrin tënd të vërtetë, k*qe. Nëse ti e bën këtë koment për të na kundërshtuar, je k*qe. Por ndonjëherë përpiqu të mendosh se nuk je, përpiqu dhe analizo futbollin. Nëse ndihesh keq sepse nuk e ke thelluar analizën tënde dhe e ke injoruar këtë temë, pse atëherë duhet të thuash diçka që nuk është e vërtetë? Për mua, Italia duhet ta mposhtë Norvegjinë në të dyja ndeshjet, por është e vështirë. Kemi dalë jashtë nga Maqedonia dhe kemi humbur dy Botërorë. Është e vështirë”.