“Fenomeni” Ronaldo ka shpallur kandidaturën e tij për presidencën e Federatës së Futbollit të Brazilit (CBF). Ish-futbollisti është gati të rikthehet në “fushë”, këtë herë si drejtues. Në një letër të publikuar në profilin e tij në Instagram, Ronaldo ka bërë të ditur synimin për të përmirësuar situatën e futbollit brazilian, i cili në vitet e fundit ka mbetur shumë larg prestigjit dhe famës së dikurshme:
“Ishte futbolli brazilian ai që më hapi dyert e botës. Nuk po flas si lojtar, as për historinë time. Futbolli ynë është shumë më i madh se unë. Po flas për të mbajtur përgjegjësinë dhe peshën që sjell. Të përfaqësosh futbollin brazilian në çdo cep të planetit, të rikthesh pasionin kombëtar që shtrihej përtej kufijve tanë.”
Pyetjet që Ronaldo ngre për futbollin brazilian
Brazili mbetet i vetmi komb që ka fituar pesë herë Kupën e Botës, por suksesi i fundit, ku Ronaldo ishte protagonist, daton që nga viti 2002. Sipas tij, problemi gjendet te strukturat federative dhe ai mendon se është njeriu i duhur për të kthyer drejtimin e duhur:
“Ne jemi ende e vetmja skuadër pesë herë kampione bote, por për momentin, koncepti ynë i përsosmërisë është shumë më poshtë potencialit tonë. A kemi humbur esencën? Çfarë tjetër kemi humbur? Nuk mund të kthehem në fushë siç më kërkojnë shumë njerëz. Nuk besoj se disfatat tona më të mëdha të viteve të fundit kanë ndodhur brenda fushës së lojës. Ato nuk janë transmetuar në televizion. Duhet të shohim përtej reflektorëve, në institucione, në mentalitetin e atletëve tanë dhe marrëdhëniet tona.”
“Respekt për futbollin brazilian”
Ronaldo shprehet qartë se ka mbetur gjithmonë i lidhur me botën e futbollit, pavarësisht se ka lënë karrierën si lojtar: “Po vëzhgoj këtë situatë prej kohësh. Kam ndaluar së luajturi, por nuk jam larguar kurrë nga loja. E kam zgjeruar vizionin, kam ndryshuar pozicion por kam mbetur i lidhur me njerëzit dhe kompanitë, me marrëdhënie të qëndrueshme. Kam pasur shumë biseda të rëndësishme prapa skenave. Motivimet e mia për këtë kandidaturë janë të panumërta, dhe më e madhja ndoshta është bindja se mund të ndihmoj për të rikthyer respektin për futbollin brazilian.”
Udhëtime dhe investime private në programin e Fenomenit
Ronaldo shpalos qartë programin e tij, duke folur për reforma në struktura dhe projekte të rëndësishme përmes investimeve private. Nuk përmend emra të mundshëm trajnerësh, por është e qartë se, nëse zgjidhet, ai mund të sjellë një emër të madh për të rilançuar plotësisht kombëtaren braziliane:
“Duhet të ndryshojmë strukturat tona, duke ruajtur atë që na mbështet dhe reformuar atë që na bën të rrëzohemi si institucion. Shpresoj për një CBF të dashur nga brazilianët dhe të respektuar në mbarë botën. Një transformim i fuqishëm dhe i paprecedentë, që bashkon të gjithë sektorët – klubet, federatat, atletët, sponsorët dhe tifozët – dhe rikthen protagonistëve rolin që meritojnë. Unë do të udhëtoj në çdo cep të Brazilit, do të dëgjoj ata njerëz që kanë nevojë të dëgjohen – sot dhe gjithmonë – dhe do t’u paraqes federatave një projekt investimesh private, të paparë më parë, për rritjen e qëndrueshme të sportit në çdo shtet të vendit. Të vazhdojmë të krijojmë biznes, punë dhe argëtim përmes inovacionit. Të rikthejmë besueshmërinë e entitetit më të lartë të futbollit brazilian, me pasionin tonë të vjetër në kohë të reja.”
Kriza e CBF dhe mungesa e stabilitetit
CBF ka qenë në krizë prej më shumë se një dekade. Pas largimit të presidentit Ricardo Teixeira (1989–2012), federata braziliane ka ndërruar shtatë presidentë në dymbëdhjetë vjet. Aktualisht në krye është Ednaldo Rodrigues, pozita e të cilit nuk duket shumë e qëndrueshme.