Kreu i demokratëve Sali Berisha ka një shpjegim të tijin mbi rënien e turistëve gjatë këtij viti në plazhet shqiptare. Për këtë ai bëri përgjegjëse qeverinë.
“Boshatisja e Shqipërisë është akti më armiqësor, më shkatërrimtar për kombin tonë se të gjitha luftërat, se të gjitha epidemitë, se të gjitha pushtimet, largimi i rreth 40% të qytetarëve shqiptarë nga Shqipëria. Në mënyrë të përsëritur jemi ndalur tek shndërrimi i turizmit në një mallkim për qytetarët shqiptarë. Ky vit shënon de facto shkatërrimin e turizmit në Shqipëri. Kapacitetet turistike në vend kanë rënë nga 50 gjer në 70%.
Kompanitë e mëdha turistike, njëra pas tjetrës, janë larguar nga Shqipëria. Tregu ka pasur absurditete nga më të rëndat. Në një kohë kur propaganda qeveritare u shet shqiptarëve për turistë pasagjerët e Rinasit apo të portit të Durrësit, në mënyrën më mashtruese, më të turpshme kapacitetet turistike, hotelet, shezlonget, çadrat kanë qenë me çerek apo maksimumi 40% të kapaciteteve të tyre nga qershori gjer sot.
Kjo është një goditje shumë e rëndë për Shqipërinë, ekonominë e saj dhe shqiptarët, të cilët kanë investuar normalisht se kudo tjetër në turizëm. Të cilët nga thellësitë e Alpeve gjer në Konispol, në të gjitha brigjet e deteve dhe liqeneve, në të gjitha malet dhe luginat e lumenjve, e shihnin dhe e shohin turizmin si një dritë shprese për mëkëmbjen e tyre ekonomike” – thotë Berisha që për këtë situata ka dhe një shpjegim.
“Por çfarë ndodhi këtë vit? Shkaku i parë dhe më kryesor miqtë e mi është varfërimi i tejskajshëm i shqiptarëve. Ky është shkaku themelor. Para 8 muajsh u publikua studimi që tregonte se 60% e shqiptarëve nuk janë në gjendje të bëjnë pushime, të shkojnë me pushime.
Miq, kur lexova atë studim mu rikujtua koha e diktaturës, kur në atë kohë jo më shumë se 30-40% e qytetarëve mund të shkonin me pushime. Edhe më pak. Nuk mund të shkojnë me pushime 47% e shqiptarëve që deklarojnë se nuk sigurojnë dot ushqimin e duhur për fëmijët e tyre. Të jemi realistë, plazhet e jugut i mbushte Tirana, kjo është e vërteta. Dhe varfëria i përjashtoi shqiptarët nga kjo mundësi” – tha Berisha. ©LAPSI.al