Ekstremet e renditjes nuk treguan absolutisht të njëjtën diferencën edhe në fushë me Tiranën që vuajti tmerrësisht përballë Kastriotit. Në “Elbasan Arena” bardheblutë kanë marrë 3 pikë shumë të rëndësishme në javën e 31 të Superiores, në një ndeshje që nuk i shpëtoi polemikave. Dy kartonë të kuq për Karakaçin e Selmanin në minutat shtesë, kur erdhi edhe goli i vetëm i ndeshjes. Vendosi Hila me një goditje me kokë që nuk i la asnjë shans portierit Sali.
Pjesa e parë prodhoi shumë pak raste. Tirana nuk arriti të gjente hapësirat që mund të shfrytëzonte për të dënuar Kastriotin. Çela nga ana tjetër, shpresonte të merrte një rezultat që do ta ndihmonte për tu kthyer në lojë për mbijetesën. Krutanët u mbrojtën fort, duke tentuar edhe kundërsulmin, por në pushim skuadrat zbritën në ekuilibër.
Në pjesën e dytë Kastrioti rrezikoi me Stojanovic menjëherë. Bakaj tani ndihet nën presion, edhe pse goditja e Rexhinaldos nuk ishte veçanërisht problematike. Hasani u mundua të lehtësonte presionin me një goditje që përfundoi mbi traversë. Mehmeti e imitoi në të 57', ndërsa nuk bëri më mirë Zogaj 10 minuta nga fundi. Pikërisht aty ndodhën episodet që vendosën ndeshjen. Karakaçi mori kartonin e dytë të verdhë në të 90'. Në superioritet përfitoi Tirana që goditi në shtesë. Hila me kokë mposhti Salin, duke vendosur ndeshjen. Karton i kuq edhe për Selmanin. Pas këtij triumfi, Tirana shkon në kuotën e 59 pikëve, 5 pikë më shumë se Partizani. Ndërsa Kastrioti mbetet në vendin e 10-të me 31 pikë.
[video width="728" height="404" mp4="https://cdnimpuls.com/lapsi.al/wp-content/uploads/2023/04/Hila-1.mp4"][/video]