Policia e shtetit ka bërë një paralajmërim për protestuesit që mbrëmjen e së enjtes bllokuan disa nga akset kryesore të qarkullimit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe pjesë të tjera të Tiranës.
Policia thotë se disa grupe të rinjsh kanë bllokuar lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve, si dhe po kundërshtojnë thirrjet e punonjësve të Policisë për të mos bllokuar rrugët pasi bllokimi i tyre përbën vepër penale.
“Nisur nga situata e krijuar, Policia e Shtetit bën thirrje për personat që kanë bllokuar rrugët dhe kundërshtojnë punonjësit e Policisë, të ndalin menjëherë këto veprime dhe të shpërndahen, pasi do përballen me forcën e ligjit.
Policia e Shtetit është e vendosur të jetë në mbrojtje të të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve, edhe të atyre që protestojnë në mënyrë paqësore, si një e drejtë kushtetuese, por nga ana tjetër, Policia e Shtetit nuk do të tolerojë veprime që bien ndesh me ligjin dhe cenojnë rendin e sigurinë, lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe të automjeteve” – kërcënon policia. ©LAPSI.al