Nënkryetari Agron Gjekmarkaj ka dhënë dorëheqjen si nënkryetar i Partisë Demokratike. Në mbledhjen e grupit parlamentar ai ka deklaruar se humbja duhet të pasohet me marrje përgjegjësish ndaj ai ka thënë se po jep shembullin e tij duke u larguar me vullnetin e tij nga të gjitha detyrat duke mbetur një deputet i thjeshtë.
“T’i hapet rruga zgjedhjeve. Duhet një kongres pajtimi me pjesëmarrjen e të dy rrymave ku për të mirën e përgjithshme disa duhet të bëjnë një hap prapa. Duhet një komision që do ta çojë PD në zgjedhje. Unë do të mbetem një deputet i thjeshtë” – tha Gjekmarkaj.
Por Basha ka vijuar të mos tërhiqet nga rruga e tij.
“Dy rrugë ka. Ose rrimë bashkë e bëjmë riorganizim ose ja dorëzojmë Sali Berishës. Synimi Berishës ta marrë PD për t’u mbrojtur nga non grata” – mësohet të ketë thënë Basha.
Lapsi.al raportoi edhe më herët se ka qenë edhe deputeti Ferdinand Xhaferraj që tha se në mbledhjen e zhvilluar me dyer të mbyllura se Basha “i kishte fyer të gjithë kur kishte thënë se nuk ka humbur asnjëherë.
“Jam më i vjetri dhe me më eksperiencë. S’kam ambicie, por përgjegjësi për PD. Berisha s’është zgjidhje dhe e ka mbyllur me PD-në, por ti na ke fyer kur thua s’kam humbur asnjë garë. Duhet të largohesh si kryetar” – ka thënë Xhaferraj.
Ndërsa deputeti Dashnor Sula ka qenë i drejtpërdrejtë: “Cila është zgjidhja kryetar? Se kështu mund te na thuash përsëri. Si i jep zgjidhje? Ke përgjegjësi ti dhe ne. Nuk na beson me asnjë kështu”.
I ashpër ka qenë edhe deputeti Helidon Bushati që mësohet se ndër të tjera është shprehur: “Duhet zgjedhje përtej egove tona. Duhet të ikësh. Kryetar, është koha për lëvizje në parti. Kur them lëvizje nënkuptoj ndryshime të rëndësishme përtej egove tona”.
Në mbledhje mungon nënkryetarja Jorida Tabaku ndërsa nënkryetarët e tjerë Grida Duma dhe Enkelejed Alibeaj nuk janë shprehur ende. ©LAPSI.al